0_Maqedoni.Portal SQ0_Web_Aktuale SQMakedonija.Slajder SQPolitikë SQ

Zaev-Kurti: Çdo avancim i marrëdhënieve mes fqinjëve, sjell stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin

– Ka disa vite që shtetet e tona zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunim të suksesshëm të udhëhequr nga parimet e mbështetjes dhe respektimit të ndërsjellë. Çdo avancim i marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve, sjell stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin dhe pikërisht për këtë japim mbështetje të plotë për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të udhëhequr nga BE-ja dhe do të mbështesim zgjidhjen, e cila është e pranueshme për të dyja palët, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e sotme të përbashkët për media me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.

Shkup, 16 shtator 2021 (MIA) – Ka disa vite që shtetet e tona zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunim të suksesshëm të udhëhequr nga parimet e mbështetjes dhe respektimit të ndërsjellë. Çdo avancim i marrëdhënieve ndërmjet fqinjëve, sjell stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin dhe pikërisht për këtë japim mbështetje të plotë për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të udhëhequr nga BE-ja dhe do të mbështesim zgjidhjen, e cila është e pranueshme për të dyja palët, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, në konferencën e sotme të përbashkët për media me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët ndërqeveritare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se takimi i sotëm mes të dyja qeverive është moment historik, për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe se i kanë mbuluar temat e nevojave të qytetarëve të të dyja shteteve.

Mbledhja e parë e përbashkët ndërqeveritare, theksoi Zaevi, është impuls jashtëzakonisht pozitiv për zhvillimin e mëtutjeshëm dhe intensifikimin e marrëdhënieve tona dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe sot nënshkruam gjithsej 11 marrëveshje, memorandume dhe programe të cilat përfshijnë edhe bashkëpunim në projektet ndërkufitare përmes programit IPA të BE-së, bashkëpunim në sferën e energjetikës, inovacioneve dhe zhvillimit teknologjik, kulturës dhe turizmit.

“Ajo është shprehje e qartë e vullnetit politik dhe të interesit të të dyja vendeve në mënyrë shtesë t’i përforcojmë dhe thellojmë marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin në të gjitha sferat me interes të përbashkët. Sot kishim ditë të mirë dhe të frytshme. Rezultatet tona janë në interes të qytetarëve të të dyja shteteve dhe besoj se në periudhën e ardhshme, ministrat dhe të gjitha institucionet do të jenë të përkushtuar në zbatimin e detyrave të cilat i vendosim tani. Presim kjo të japë impuls edhe për zhvillim të bashkëpunimit edhe në shumë sfera të tjera në të ardhmen”, deklaroi Zaevi.

Në plan të parë, theksoi Zaevi, i vendosëm marrëveshjet dhe memorandumet për lidhje infrastrukturore të dy shteteve tona.

“Në pakon e marrëveshjeve të nënshkruara u gjendën marrëveshja për lidhjen e dy autostradave në vendkalimin kufitar Bllacë, në kuadër të ndërtimit të autostradës Shkup – Bllacë, marrëveshja për studimin e rrugës Prizren-Tetovë, marrëveshja për vendosjen e vendkalimeve kufitare të përbashkëta, si dhe marrëveshja për projekt të përbashkët të skijimi, që do ta lidhë Brezovicën dhe Kodrën e Diellit”, deklaroi Zaevi.

Për Maqedoninë e Veriut, Kosova është një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë, theksoi Zaevi, ku shkëmbimi tregtar zhvillohet lirshëm pa dogana, sipas marrëveshjes CEFTA dhe Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik.

“Në këtë shkëmbim realizojmë suficit të rëndësishëm në favorin tonë, me çka Kosova është një nga partnerët kryesorë eksportues për ekonominë tonë. Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar në vitin 2020 ishte 305,7 milionë dollarë, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të këtij viti shkëmbimi tregtar është 130,2 milionë dollarë dhe presim që këtë vit të kalojmë 400 milionë dollarë shkëmbimin tregtar mes të dy shteteve”, deklaroi Zaevi.

Republika e Maqedonisë së Veriut, theksoi Zaevi, është e gatshme që t’i ndajë me Republikën e Kosovës të gjitha përvojat nga integrimi ynë në NATO, deri në anëtarësimin e fqinjit tonë, në të ardhmen në Aleancën e njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vlerësoi se takimi i sotëm mes të dyja qeverive është një moment historik, për bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Republika e Maqedonisë së Veriut këtë vit feston 30-vjetorin e pavarësisë, Kosova 13- vjetorin e pavarësisë dhe ky është takimi i parë ndërmjet dy qeverive tona që të intensifikohet dhe zgjerohet bashkëpunimi në shumë sfera”, tha Kurti duke shprehur ngushëllime të sinqerta për personat të cilët e humbën jetën në zjarrin në spitalin modular në Tetovë.

Ai shtoi se kanë nënshkruar 11 marrëveshje të reja, në mesin e të cilave, siç tha, janë sa i përket turizmit, bashkëpunimit në sferën e sipërmarrësisë, ekonomisë, sigurisë, transportit, bashkëpunimit ndërkufitar, lidhjes së Kodrës së Diellit me Brezovicën, etj.

“Para takimit bashkë me kryeministrin kishim një takim të përbashkët zyrtar dhe miqësor. Pa marrë parasysh të gjitha, ne i mbuluam temat e nevojave të qytetarëve tanë dhe të kemi njëfarë baze që do të bazohet në praktikat më të mira evropiane”, tha Kurti. fc/

 

Butoni Kthehu në krye
Mbylle