Kultura.Slajder SQKulturë SQKulturë.Portal SQ

“Vera Andrron Detin” e regjisores Kaltrina Krasniqi në shtator me premierë botërore në festivalin e filmit të Venedikut

Filmi i metrazhit të gjatë debutues "Vera Andrron Detin" me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit në shtator do ta ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë "Venice Film Festival".

Shkup, 26 korrik 2021 (MIA) – Filmi i metrazhit të gjatë debutues “Vera Andrron Detin” me skenar të Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit në shtator do ta ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë “Venice Film Festival”.
Filmi është në konkurrencë zyrtare në programin “Orizzonti” ku kryetare e jurisë është regjisorja Boshnjake Jasmila Zbaniç ndërsa filmi konkurron për: Filmin më të mirë, Regjinë më të mirë, Çmimin special të jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë, dhe për skenarin më të mirë.
Filmi flet për përditshmërinë e qetë e Verës (64) e cila çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj, që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, e shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj. Zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje që lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme.
“Në këtë rrugëtim shtatëvjeçar plot sfida, kam qenë e determinuar t’u jap zë grave në mezomoshë – gjeneratë kjo që rrallë shqyrtohet në film, por edhe letërsi. Në anën tjetër, shumë stereotipa i mvishen këtij brezi. Lufta e Verës për pronën familjare shpalosë një ambient politik e kulturor të ndërtuar mbi pabarazitë, për të cilat kemi nevojë të mendojmë kolektivisht – jo vetëm në Kosovë, por edhe globalisht – këtë herë duke mos negociuar me traditën. Ndihem shumë e nderuar që “Vera Andrron Detin” do ta ketë premierën këtë shtator, në njërin prej festivaleve të ëndrrave të mija – Venice Film Festival”.  Ky është një vit i madh për kinematografinë tonë dhe gëzohem që filmi im bën pjesë në të”, shprehet regjisorja Krasniqi.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Producent: Shkumbin Istrefi.
Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë. shk/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle