0_Maqedoni.Portal SQ0_Slajder SQ0_Web_Ballina – Sllajder SQ0_Web_Përzgjedhja e redaktorit SQIntervistë SQMakedonija.Slajder SQShoqëri SQ

Simovski për MIA-n: Regjistrimi i popullsisë dhe objekteve fillon nesër, të dhënat do të publikohen më së voni për katër muaj

Pas 20 vitesh, në shtet zbatohet regjistrim i popullsisë dhe objekteve. Për herë të parë, përveç grumbullimit të të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e аmzës të qytetarit në aplikimin e regjistrimit, tërhiqen automatikisht të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat në shtet.

Shkup, 4 shtator 2021 (MIA) – Pas 20 vitesh, në shtet zbatohet regjistrim i popullsisë dhe objekteve. Për herë të parë, përveç grumbullimit të të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e аmzës të qytetarit në aplikimin e regjistrimit, tërhiqen automatikisht të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat në shtet.

Kjo përshpejton të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janar të vitit 2022, duhet të publikohen të dhënat – që do të jenë me interes dhe rëndësi për pothuajse çdo sferë të jetesës dhe punës në shtet. Do të marrim numër të saktë se sa jemi në shtet dhe ku ndodhemi saktësisht, do të fitohet pasqyrë e saktë e strukturës së gjinisë, moshës, arsimit, strukturës ekonomike të popullsisë, numrit të objekteve dhe pamje të kushteve të jetesës së popullsisë.

Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave Apostol Simovski, në intervistë për MIA-n, shprehet se pas regjistrimit të suksesshëm të këtij shtatori, shteti ynë, në ciklin e ardhshëm të regjistrimeve rreth vitit 2030, do të mund të zbatohet regjistrim i bazuar tërësisht në regjistra.

Për protokollet e mbrojtjes shëndetësore, a ka një numër të mjaftueshëm regjistruesish, çfarë është regjistrim i kombinuar dhe bazë e të dhënave para regjistrimit, kur do t’i kemi të dhënat e para, çfarë nënkuptojnë saktësisht këto të dhëna dhe si do të përdoren, lexoni në intervistën më poshtë.

Pas 20 vitesh, në shtet fillon operacioni më kompleks statistikor – regjistrim i popullsisë dhe objekteve edhe atë në kushte të pandemisë. Çfarë parashikojnë protokollet dhe si do të rrjedhë regjistrimi në terren?

Protokolli i përgatitur për zbatimin e Regjistrimit në kohë të pandemisë së Kovid-19 është shumë rigoroz dhe i saktë. Regjistruesit tanë janë të njoftuar me Protokollin, tashmë u janë shpërndarë maska mbrojtëse KN95 dhe mjete për dezinfektim dhe ata e dinë saktësisht se si të sillen dhe çfarë duhet të bëjnë kur hyjnë në një amvisëri. E kjo është:

– të mbajë maskën në mënyrë të drejtl, të kërkojë nga nikoqiri, nëse nuk mban maskë, të vendosë maskë, të dezinfektojnë duart para se të hyjë në shtëpi si dhe laptopin me të cilin do të kryejnë regjistrimin dhe nëse regjistrimi bëhet në hapësirë të mbyllur, të kërkojë të hapen dritare dhe rregullimi i ulëseve të jetë me distancë të detyrueshme të paktën 2 metra.

– Kudo ku lejojnë kushtet, rekomandohet që regjistrimi të bëhet në hapësirë të hapur dhe mendoj se kushtet e motit do të na lejojnë ta bëjmë këtë.

Kishte konkurs për regjistrues dhe Qeveria mori sot vendim për të vënë në dispozicion disa nga të punësuarit nga niveli qendror dhe lokal. Sa regjistrues janë punësuar? Si janë sistemuar? Si do të lëvizin nëpër rajone?

Pra, për secilin nga 50 rajonet e regjistrimit është parashikuar numër optimal i regjistruesve. Por, kjo nuk do të thotë që edhe një numër i vogël nuk mund ta mbarojë punën. Aktualisht, vetëm për disa zona të regjistrimit do të punësohen persona sipas vendimit të Qeverisë, e në zona të tjera ka një numër të mjaftueshëm të regjistruesve të cilët do të përfundojnë me efikasitet dhe sukses detyrimin e tyre. Në fakt, këtë herë Regjistrimi zgjatë 25 ditë, që është një periudhë e mjaftueshme për mbulimin e plotë të popullsisë në të gjithë territorin e shtetit.

Ky, ndër të tjera, është regjistrimi i parë me një model të kombinuar. Çfarë do të thotë kjo?

Modeli i kombinuar nënkupton daljen në terren, respektivisht regjistrimin ballë për ballë dhe përdorimin e të dhënave nga bazat e të dhënave. Zakonisht, kjo metodë e kombinuar është fazë kalimtare midis regjistrimit klasik dhe regjistrimit të bazuar në regjistra.

Çfarë do të thotë kjo: mbledhja e të dhënave drejtpërdrejt nga popullata në terren dhe përdorimi i të dhënave nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para-regjistrimit që është përpiluar nga disa baza të të dhënave që ekzistojnë në shtet dhe cilësia e të cilave analizohet dhe kontrollohet. Duke vendosur numrin e amzës së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, tërhiqen automatikisht të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat e të dhënave në shtet.

Sigurisht, mbeten pyetje të cilave personi do të duhet t’u përgjigjet meqë për këtë nuk ka të dhëna në bazën e të dhënave, e kjo veçanërisht ka të bëjë me çështjet e ndjeshme për përkatësinë etnike, besimin fetar, gjuhën amtare dhe gjuhën që zakonisht flitet në amvisëri. Këto janë çështje me të cilat shprehet ndjenjë personale dhe prandaj përgjigjet vendosen ashtu siç do të prononcohet personi.

Regjistrimi do të zgjasë nga 5 deri më 30 shtator. Kur duhet të publikohen të dhënat fillestare nga regjistrimi?

Sipas Ligjit për regjistrim, Zyra është e detyruar të publikojë të dhënat 6 muaj pas përfundimit të aktiviteteve në terren, por ne besojmë se do të jemi në gjendje të përfundojmë përpunimin shumë më herët dhe deri në fund të vitit, jo më vonë se në janar të vitit 2022 për të publikuar të dhënat. Për dallim nga më parë, kur kishim të dhjëna fillestare, më pas vijoi procesi i gjatë i vendosjes së të dhënave, me këtë proces tani do të publikohen vetëm të dhënat përfundimtare përfundimtare.

Çfarë saktësisht mund të marrin si të dhëna qytetarët, institucionet ose investitorët potencialë, pasi të përfundojë regjistrimi?

Kjo është një çështje shumë e gjerë sepse me Regjistrimin do të merren një numër i madh i të dhënave që do të jenë me interes dhe rëndësi për pothuajse çdo sferë të jetesës dhe punës në shtet.

Para së gjithash, ne do të marrim shifër të saktë se sa jemi në shtet dhe ku jemi saktësisht të sistemuar, respektivisht shpërndarje të saktë territoriale të popullsisë madje edhe për kilometër katror. Do të fitohet një pasqyrë e saktë e strukturës gjinore, të moshës, arsimore, ekonomike të popullsisë. Pastaj do të fitohet pasqyrë e saktë e fondit banesor në shtet dhe gjendjen e tij, karakteristikat e njësive të banimit dhe vendndodhjen e tyre, do të fitohet një pasqyrë e kushteve të jetesës së popullsisë – kjo është me të vërtetë një pasuri e madhe e të dhënave, treguesve që do të na udhëzojë se ku dhe si duhet të lëvizim në të ardhmen.

Sipas Ligjit të regjistrimit, qytetarët që janë jashtë vendit mund të regjistrohen vetë në faqen e internetit të ESHS-së. Kjo mundësi do të zgjasë deri më 30 shtator. Sa qytetarë e kanë bërë këtë deri më tani?

Deri më tani, janë regjistruar.afërsisht 191,000 shtetas maqedonas jashtë vendit. Ne prisnim pjesëmarrje më të madhe që disi u qetësua pas prolongimit të regjistrimit në prill dhe tani presim që ky proces të intensifikohet përsëri.

Nga fqinjësia, Serbia ka shtyrë regjistrimin për tetor të vitit 2022, në Bullgari është nga 7 shtator deri në 3 tetor, ndërsa Kroacia do ta zbatojë atë në dy faza nga 13 shtator deri më 17 tetor. Cilat janë përvojat dhe përgatitjet e tyre në lidhje me protokollet për KOVID-19?

Përvojat do t’i mësojmë pas zbatimit të regjistrimeve. Tani për tani, asgjë nuk mund të thuhet sepse secili prej këtyre vendeve zbaton regjistrim të ndryshëm. Pra, ne nuk mund të krahasohemi fare, ndërsa do të shkëmbejmë përvoja dhe sigurisht që do të kemi mundësi për diskutime pasi të gjithë të përfundojmë me sukses regjistrimet në vendet e tyre.

Gjithnjë e më shumë vende evropiane po braktisin metodën tradicionale dhe po kalojnë në regjistrim të kombinuar ose vetëm me regjistër. Sipas të dhënave të Komisionit Ekonomik të KB-ve për Evropën më 2010, shtatë shtete në Evropë kanë zbatuar regjistrim të kombinuar, nëntë regjistrime vetëm me regjistra dhe 23 tradicionale, ndërsa për raundin në vitin 2020 regjistrim të kombinuar planifikojnë ose kanë realizuar 12, tradicional 13, e së paku 14 vende vetëm me regjistra.

Kur mund ta braktisim ne krejtësisht regjistrimin tradicional?

Edhe ne jemi një nga 12 vendet që zbatojmë një metodë të kombinuar regjistrimi. Besoj fuqimisht se pas regjistrimit të suksesshëm të këtij shtatori, shteti ynë, në ciklin e radhës të regjistrimeve rreth vitit 2030, do të jetë në gjendje të zbatojë regjistrim të bazuar tërësisht në regjistra.

Aleksandar Atanasov

 

 

 

 

Butoni Kthehu në krye
Mbylle