Storje SQ

Regjistrimi 2021 dhe urbanizimi

Pas pothuajse dy dekadash në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga 5 deri më 30 shtator, do të zbatohet Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, Regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2002, që nënkupton se në vend ka një statistikë të vjetër mbi numrin e popullatës, numrit të shtëpive dhe banesave, arave, gjedhit.

Shkup, 24 shtator 2021 

Nëpërmjet regjistrimit te njohuritë e sakta mbi standardin e jetesës

Pas pothuajse dy dekadash në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga 5 deri më 30 shtator, do të zbatohet Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, Regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2002, që nënkupton se në vend ka një statistikë të vjetër mbi numrin e popullatës, numrit të shtëpive dhe banesave, arave, gjedhit.

Në kushte të mungesës së informacioneve të reja dhe të sakta, qeveria, institucionet dhe komunat, të gjitha dokumentet strategjike dhe planet për zhvillim ekonomik, politika shëndetësore, arsimore dhe të tjera, i përgatisin në bazë të të dhënave të vjetra 19 vjet, si dhe mbi vlerësimet aktuale të Entit Shtetëror të Statistikës.

Sipas Metodologjisë të Regjistrimit 2021, qytetarët i përgjigjen një seti prej dhjetë pyetjesh të ndara në disa tema, karakteristikat gjeografike, demografike, ekonomike, arsimore, etnokulturore dhe karakteristikat e ekonomive familjare dhe familjeve, migrimeve, handikapit, bujqësisë, vendbanimeve, kushteve për strehim.

Sopishte – shembull për nevojë për regjistrim

Komuna e Sopishtes në pesëmbëdhjetë vitet e kaluara është zhvilluar shumë shpejt. U ndërtuan dhjetëra ndërtesa banesore, qindra shtëpie dhe shtëpi për fundjavë. Kjo komunë në afërsi të Shkupit e cila në të kaluarën ka qenë rurale dhe e banuar me banorë vendas, sot është atraktive për të jetuar, sidomos për çiftet martesore të të rinjve të cilët dëshirojnë të jenë larg zhurmës së qytetit, por megjithatë vetëm disa kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Por, bukuria e qetësisë në këtë zonë periferike dhe shtëpi në lartësi me pamje nga Shkupi, në vitet e fundit, “u ka ardhur në majë të hundës” banorëve. U zmadhua numri i qarkullimit dhe i automjeteve. U zmadhua edhe numri i fëmijëve të cilët duhet të shkojnë në kopsht dhe në shkollë tetëvjeçare, kurse në periudhën e verës ndodh vazhdimisht të mos ketë ujë në shtëpi.

“Është shumë e vështirë pa ujë. Sidomos në periudhën e verës. Blejmë ujë për të pirë, gjendemi diçka. Por, ky problem me vite nuk po zgjidhet. Kur u shpërngulëm këtu u gëzuam se gjetëm paqe nga xhungla e betonit, por tani e kuptojmë se Sopishte nuk po zhvillohet sipas planit. Nuk mund t’i mbajë të gjithë banorët që kanë ardhur në këto lagje periferike”, thotë shkupjania Angella Petkovska, e cila para tetë vjetësh u shpërngul në shtëpinë e re në Sopishte.

Problemi me ujë për të pirë në ekonomitë familjare është detektuar nga pushteti lokal dhe për këtë gjë mund të lexohet në faqen e internetit të komunës.

“Komuna Sopishte është shumë e varfër me resurse ujore, edhe pse mbetet fakti se trualli gëlqeror nuk është studiuar sa duhet që të përcaktohet potenciali i mundshëm i ujërave nëntokësorë, që mund të jetë impuls vendimtar për zhvillimin e komunës. Në të vërtetë, mungesa e ujit për ekonomitë familjare është faktori kryesor inhibues për zhvillim të lagjeve dhe të strehimit dytësor, që shikohet sidomos në lagjet të cilat nuk janë të lidhura me ujësjellësin e Shkupit.”

Por, ajo që është vendimtare për zhvillim dhe planifikim të infrastrukturës së Komunës Sopishte, për ndërtim të objekteve të reja publike, si kopshte, shkolla, institucione shëndetësore – ajo nuk e posedon. Ky është numri i banorëve në komunë. Në informacionet e përgjithshme në portalin e komunës popullata numërohet ende sipas regjistrimit të fundit, të zbatuar në vitin e largët 2002.

“Sipas këtyre të dhënave Komuna e Sopishtes ka 5.656 banorë, 1.510 ekonomi familjare dhe 3.398 banesa, në 13 vende të banuara të llojit të dendur, me mungesë të qendrës klasike urbane”, shkruhet në pjesën Demografia në faqen e internetit të komunës.

Sipas informacioneve jozyrtare nga pushteti lokal, në Komunën Sopishte sot jetojnë rreth 8.000 banorë. Si për shembull se sa është dallimi në numra do ta marrim fshatin Gorne Sonje që hyn në Komunën e Sopishtes. Aty para pesëmbëdhjetë vjetësh në listën zgjedhore kishte 90 votues, kurse sot ka rreth 270 me letërnjoftim për vendbanim.

Komuna e Sopishtes është vetëm një shembull për domosdoshmërinë që të zbatohet një nënshkrim i ri nëpërmjet të cilit do të sigurohen numrat e saktë për popullatën, shtëpitë, kushtet e jetës së banorëve dhe shumë informacione të tjera të nevojshme që të miratohen plane relevante dhe strategji për zhvillim të komunës.

Urbanizmi ka ndikim të madh në jetën e përditshme dhe është parakusht për cilësinë e jetës të çdo individi.

“Nëse nuk ka vend në kopsht që ta regjistrojmë fëmijën, urbanizmi është fajtor. Nëse ka rrëmujë në poliklinikën lokale urbanizmi është fajtor. Nëse keni filluar të ziheni me komshinjtë për parking, urbanizmi është fajtor. Nëse qëndroni shumë gjatë në semaforë, urbanizmi është fajtor. Prandaj themi se planet urbanistike nuk mund të ndryshojnë ad hok dhe sipas dëshirave për interesat personale”, shpjegon arkitektja Iskra Jankovska Mihajllovska, mbi faktin se sa janë të rëndësishëm numrat për planifikimin urbanistik.

Të 80 komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë ndërtimit të politikave lokale, udhëhiqen nga të dhënat e marra nga regjistrimi në vitin 2002. Sepse, ato janë të dhënat e fundit zyrtare statistikore.

Problem shtesë gjatë numërimit të popullatës dhe vendbanimeve bën që ajo që në vitin 2005 nisi si proces i decentralizimit dhe shumë komuna ndryshuan kufijtë, disa u zvogëluan, disa u zmadhuan nga territori dhe numri i banorëve, dhe nga 123 komuna dhe Qyteti Shkup para decentralizimit, sot ka 80 komuna plus Qytetin Shkup.

Urbanizmi bazohet në statistika dhe numra

Sipas Ligjit për planifikim urbanistik, gjatë përpunimit të Planit të përgjithshëm urbanistik, planet e detajuara urbanistike dhe mandej çdo lloj plani urbanistik, si të dhëna statistikore përdoret numri i popullatës, struktura demografike e popullatës, mandej dendësia e popullatës në një vend të caktuar, komuna ose rajoni më i gjerë. Zhvillimi i çdo vendi të banuar kushtëzohet nga urbanizimi i rregullt i hapësirës, që lind nevojën që të jenë në dispozicion informacione cilësore dhe të sakta, lidhur me numrin e banorëve, dendësinë e popullatës, infrastrukturën e nevojshme (nëntokësore dhe mbitokësore).

“Numrat e urbanizmit nënkuptojnë gjithçka. Jo vetëm ato të regjistrimit. Urbanizmi është një shkencë komplekse ku skicimi vjen pasi të bëhen analiza gjithëpërfshirëse, demografike, sociologjike etj. Numrat e regjistrimit gjithsesi i ndihmojnë pushtetet lokale dhe qendrore në planifikimin dhe nevojat për ndryshime. Numri i ekonomive familjare, automobilave është shumë i rëndësishëm për urbanizmin dhe planifikimin urbanistik. vetëm analizat gjithëpërfshirëse dhe ndjekja e numrave të ndryshimeve demografike, regjistrimi i pronës, trendet e lëvizjeve sociale të njerëzve mund të japin plane urbanistike të cilat do të jenë zhvillimore për ekonominë, për përparimin e cilësisë së jetës në një mjedis”, thotë Jankovska Mihajllovska.

Regjistrimi do t’u mundësojë të dhëna relevante dhe të sakta komunave nga shumë fusha. Komunat e kanë për detyrë ta mirëmbajnë infrastrukturën ekzistuese dhe të ndërtojnë edhe të re: rrugë, rrjet kanalizimesh, qasje.

“Numrat e saktë të popullatës sipas lagjeve do të na ndihmojnë shumë në krijimin e politikave të reja dhe në përmirësimin e kushteve të jetës, duke pasur parasysh se Karposhi është goditur theksueshëm nga urbanizimi agresiv dhe i paplanifikuar”, thanë nga Komuna Karposh.

Urbanizimi i paplanifikuar, betonizimi i shumë lagjeve të Shkupit, shkatërrimi i Vodnos është mundësuar për shkak të mungesës së nga informacionet relevante. Në Shkup janë ndërtuar qindra ndërtesa pa standarde themelore – numër të mjaftueshëm të vendeve për parkim, qasje në qarkullim, ndërtesa (ja)cilësore.

“Meqenëse një kohë të gjatë nuk kemi regjistrim, në disa PDU në Komunën Qendër u shfaqën spekulime mbi numrin e popullatës dhe kështu u bënë ndryshime sipas dëshirës së individëve, që në afat absolut çon në kaos urban dhe rënie të cilësisë së jetës në atë mjedis”, thotë Jankovska Mihajllovska.

Të dhënat statistikore të marra nga regjistrimi do të japin një qasje të qartë mbi (mbi)popullimin e lagjeve të caktuara dhe se çfarë duhet të ndërmarrë komuna që të sigurohet një jetë më humane dhe më cilësore. Pastaj, do të mund të shihet edhe dendësia e popullatës, numri i njësive banesore të banueshme dhe do të përcaktohet se a përputhen parametrat e Planit të përgjithshëm urbanistik (PPU) me realitetin.

“Në të gjitha bashkësitë urbane ekzistojnë kopshtet për fëmijë dhe shkollat tetëvjeçare, që i mirëmban Komuna Karposh. Si rrjedhim, duke pasur të dhëna mbi numrin e fëmijëve, moshën e tyre, do të mund të planifikojmë më lehtë kapacitet shtesë të kopshteve, shkollave tetëvjeçare dhe kështu do të sigurojmë mbrojte më cilësore për fëmijët dhe proces arsimor më të qasshëm”, thonë nga Komuna e Karposhit.

Për shembull, gjatë përpunimit të planit urbanistik për zhvillimin e një qyteti apo zone, do të merren parametra dhe të dhëna demografike, që të mund të planifikohet zhvillimi i infrastrukturës. Sa më i ri të jetë parametri, aq më i saktë do të jetë planifikimi dhe urbanizimi në shtet.

“Ne tani llogarisim me numrat e vitit 2002, kurse ata numra sot ndoshta nuk janë të njëjtë. Prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm se ky operacion është i rëndësishëm të zbatohet, sepse nevojitet për çdo funksionim më të mirë në përditshmëri të të gjitha institucioneve në shtet. Ne duhet të dimë sa fëmijë do të regjistrohen në kopsht, shkollë. A duhet urbanizim për zgjerim të planeve urbanistike, a nevojitet profil më i madh i rrugëve dhe në fund, të gjithë parametrat vijnë në shprehi me një operacion të tillë, i cili do të japë informacione të reja mbi gjendjet në shtet, në lidhje me numrin e banorëve”, thotë ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.

Vendimet, strategjitë dhe politikat të cilat i miraton Ministria e Transportit dhe Lidhjeve gjatë realizimit të projekteve infrastrukturore duhet të bazohen në të dhëna reale mbi numrin e popullatës, numrin e vendbanimeve në komunë, dendësinë e popullatës, zhvillimin infrastrukturor të komunës etj.

“Këto të dhëna të sakta janë kushte të përcaktuara në metodologjitë gjatë shpërndarjes së mjeteve për komunat nga buxheti, të cilat mandej përdoren për realizim të projekteve infrastrukturore. Ato të dhëna na japin pasqyrën e saktë gjatë përpilimit të studimeve fizibiliti, obligimeve projektuese, vlefshmërinë ekonomike, si dhe gjatë marrjes së vendimeve mbi nevojën e realizimit të projekteve infrastrukturore”, shpjegojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Nga kjo ministri, vetëm si shembull se sa planifikimi urban varet nga statistikat, cituan projektin për furnizimin me ujë dhe nxjerrjen e ujërave të zeza të realizuar nëpërmjet Bankës Evropiane të Investimeve. Ky projekt ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës komunale në të gjitha komunat dhe realizohet në atë mënyrë që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, jep një sasi të caktuar fondesh për secilën komunë. Në metodologjinë që është përcaktuar nga banka, ndër kushtet e tjera për shpërndarjen

e fondeve, janë marrë parasysh numri i banorëve dhe madhësia e bashkisë. Në bazë të këtyre të dhënave, secila komunë mori një shumë të ndryshme të mjeteve, të cilat i përdori më tej për të përmirësuar infrastrukturën komunale.

Regjistrimi do të ndikojë mbi urbanizimin

Një nga pyetjet e pyetësorit për regjistrim është edhe se a ka qasje për personat me aftësi të kufizuara në ndërtesë. Sipas Ligjit për ndërtim, çdo ndërtesë banesore me dhjetë dhe më shumë kate, duhet të projektohet dhe ndërtohet në mënyrë të tillë që të mundësojë qasje, lëvizje, qëndrim dhe punë për personat me aftësi të kufizuara, në të paktën një prej dhjetë banesave, kurse minimum 3% e vendeve për parkim në parking te këto ndërtesa duhet të jetë për personat me aftësi të kufizuar.

Këto dispozita ligjore shpesh nuk respektohen dhe nuk zbatohen gjatë ndërtimit të objekteve. Në vijim është përgatitja e ligjit të ri për ndërtim. Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë që në vend të dënimeve të deritanishme për kundërvajtje për mos respektim të standardeve të ndërtesave për inspektorë, të parashikohen dënime me burg. Ata shpresojnë se para se të miratohet ligji i ri, do të zbatohet regjistrimi dhe do të merret numri i saktë i qytetarëve për nevojat e të cilave janë të domosdoshme kushtet e veçanta gjatë ndërtimit të cilitdo lloj objekti.

“Ne nuk na kanë numëruar, në shtetin tonë nuk dihet saktë sa persona me invaliditet ballafaqohen me probleme të caktuara. prandaj, e pranojmë dhe e përdorim përqindjen e përcaktua nga Organizata Botërore Shëndetësore, sipas së cilës diku midis 10 dhe 15 përqind e popullarës ballafaqohet me një lloj invaliditeti. Nëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut jetojnë rreth 2 milionë banorë, kjo përqindje është rreth 200.000 banorë”, thotë Branimir Jovanovski, kryetar i Lidhjes nacionale të personave me invaliditet trupor në Maqedoni – Mobillnost Makedonija.

Në pyetësorin të cilin e përdorin regjistruesit për regjistrim kur vijnë në çdo shtëpi ka pyetje të cilat do të japin një pamje të qartë se në çfarë kushtesh jetojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së veriut. Për shembull, ka pyetje se në cilin vit është ndërtuar pallati apo shtëpia, prej çfarë materiali është ndërtuar sistemi mbartës. Pastaj, a ka objekti fasadë me efikasitet energjetik, ngrohje qendrore, a ka në shtëpi kuzhinë dhe banjë.

“Kjo do të na japë një pamje përafërsisht të saktë mbi standardin e jetës. Sa është përqindja e popullatës që jeton në bashkësi urbane. Sa nga qytetarët kanë kushte themelore të jetës. Nëse nuk ke të dhëna të sakta, njëjtë si të punosh pa parë. Kurse nëse ke të dhëna të përditësuara, ndjekje të përhershme të atyre të dhënave dhe ke qasje te to, atëherë mund t’i ndjekësh trendet dhe mund të planifikosh”, deklaroi arkitekti Sasho Bllazhevski, anëtar i Odës së arkitektëve dhe inxhinierëve të autorizuar.

Arkitektët, pushteti lokal, Ministria e Transportit dhe lidhjeje janë të njëzëshëm se numri i popullatës, karakteristikat e saj, struktura, përkatësia gjinore, mosha, numri i të aftëve për punë etj. janë jashtëzakonisht të rëndësishme për planifikimin urbanistik. Kurse këto të dhëna mund të merren vetëm nga regjistrimi i popullatës, ekonomive familjare dhe banesat. Nga ata tregues do të varet si do të planifikohet ose ridizajnohet ndonjë qytet, fshat, rajon, komunë, lagje, kurse me qëllim që të planifikohet, projektohet, ndërtohet dhe jetohet më me cilësi.

Autore:

Maja Jovanovska

Butoni Kthehu në krye
Mbylle