0_MIA Investigon.Portal SQMIA Investigon SQStorje SQ

Regjistrimi 2021 dhe mbrojtja shëndetësore

Nga regjistrimi i fundit i popullatës dhe deri më sot kanë kaluar pothuajse dy dekada. Pikërisht në këtë njëzet vjet nga vendi, janë shpërngulur, përgjithmonë apo përkohësisht një numër i madh qytetarësh. Numri i saktë i të shpërngulurve, tani për tani, nuk e di asnjë institucion shtetëror, por ndoshta bëhet fjalë për qindra mijëra qytetarë.

25 shtator 2021 

Nëpërmjet regjistrimit te mbrojtja shëndetësore efikase e qytetarëve

Nga regjistrimi i fundit i popullatës dhe deri më sot kanë kaluar pothuajse dy dekada. Pikërisht në këtë njëzet vjet nga vendi, janë shpërngulur, përgjithmonë apo përkohësisht një numër i madh qytetarësh. Numri i saktë i të shpërngulurve, tani për tani, nuk e di asnjë institucion shtetëror, por ndoshta bëhet fjalë për qindra mijëra qytetarë.

Kuadri mjekësor është një ndër më të shumtët midis të shpërngulurve dhe të atyre me qëndrim të përkohshëm jashtë shtetit. Në kërkim të jetës më të mirë, më të pasur dhe më cilësore, në dy dekadat e kaluara, nga vendi janë shpërngulur shumë mjekë të mjekësisë së përgjithshme, specialistë, subspecialistë, dentistë, gjinekologë, kardiologë, infektologë, akushere dhe infermiere etj.

Me shpërnguljen personelit shëndetësor, shumë institucione shëndetësore, qendra mjekësore lokale, ente të mbrojtjes shëndetësore, spitale dhe klinika mbetën pa kuadrin e nevojshëm mjekësor.

Kuadri mjekësor shpërngulet, qytetarët mbeten pa mjekë.

Sipas statistikës, në shtet kemi 270 mjekë për 100.000 banorë, që është për 22% më pak se mesatarja evropiane. Në vendet e Bashkimit Evropian, për 100.000 banorë ka 330 mjekë.

Në dhjetë vitet e fundit, nga vendi janë larguar rreth 200 mjekë në vit, që është pothuajse e barabartë me mesataren vjetore të studentëve që përfundojnë fakultetet e mjekësisë. Sipas Odës së Mjekëve të Maqedonisë1, në periudhën nga viti 2006-2015, numri i mjekëve të cilët kanë kërkuar vërtetim se merre aktivisht me mjekësi klinike (vërtetim i cili u nevojitet që të punojnë jashtë shtetit) është zmadhuar pothuajse 20 herë. Të dhënat nga hulumtimi i Odës së mjekëve të vitit 20192, dëshmojnë se numri i përgjithshëm i mjekëve që kanë emigruar është përafërsisht 12% e mjekëve të licencuar, me trend për zmadhim të përhershëm. Destinacionet më të dëshiruara për emigrim janë: Gjermania, Sllovenia, Lindja e Afërme, Evropa Veriperëndimore dhe Zvicra. Pothuajse çdo mjek i ri mëson gjermanisht dhe shpreson se do të gjejë punë lehtë në Gjermani, ku ka kërkesë të madhe për personel mjekësor. Faktorët më të rëndësishëm që e nxitin emigrimin janë: papunësia, mungesa e qasjes te edukimi i hershëm dhe cilësor, trajnimi dhe specializim, si dhe financat.

Edhe asociacionet e tjera mjekësore në shtet, si për shembull, Asociacioni i mjekëve të rinj specializues, flasin vazhdimisht mbi këtë problem serioz në mjekësinë maqedonase dhe mbi nevojën për ndërmarrjen e politikave korrekte dhe efikase dhe mbi masat për tejkalimin e tyre. Ata paralajmërojnë se nëse nuk merren hapa urgjentë me të cilët mjekët dhe infermieret do të mbahen në vend, shumë shpejt do të kemi situatë kur një numër i vogël mjekësh dhe punonjës mjekësore do të duhet të mjekojnë dhe të kujdesen për një numër enorm pacientësh.

Me shpërnguljen e personave mjekësorë, spitalet dhe poliklinikat maqedonase mbeten gjysmë të zbrazura, përkatësisht ballafaqohen me mungesën e personelit mjekësor. Pothuajse nuk ekziston spital në shtet i cili nuk ballafaqohet vazhdimisht me mungesën e kuadrit mjekësor. Bëhet fjalë për më pak oftalmologë, urologë, endokrinologë, pediatër, gjinekologë, anesteziologë. Sipas hulumtimit të Inboks 73, tetë nga nëntë spitale të përgjithshme në vend funksionojnë me mungesë të mjekëve specialistë. Nga numri i përgjithshëm i specialistëve që janë në dispozicion të dymbëdhjetë spitaleve të përgjithshme – 550, 344 e tyre, përkatësisht më shumë se 62% janë në moshë mbi 55-vjeçare.

Për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor, në vitet e kaluara, jo rrallë kemi qenë dëshmitarë kur janë mbyllur apo kanë qenë para mbylljes, reparteve të klinikave në shtet, si për shembull, Reparti i Hematologjisë në Klinikën për sëmundje të fëmijëve etj.

E gjithë kjo reflektohet negativisht mbi sigurimin e mbrojtjes shëndetësore në kohë dhe cilësore për qytetarët, që është e dukshme sidomos gjatë periudhës së pandemisë me kovid-19.

Regjistrimi do të tregojë se sa personel mjekësor na nevojitet.

Sipas statistikanëve, regjistrimi i ardhshëm i vjeshtës do të japë një “pamje” të qartë se sa mjekë dhe personel tjetër mjekësor ka në vend. Regjistrimi do të ndihmojë institucionet të vlerësojnë se në cilën komunë ose qytet duhet të punësohet personel mjekësor shtesë, dhe ku ka punësim të tepërt. Në fakt, regjistrimi do t’u mundësojë institucioneve kompetente të marrin të dhëna të sakta dhe të azhurnuara mbi numrin dhe strukturën e personelit mjekësor në vend; çfarë personeli mjekësor nevojitet; ku nevojiten spitale të reja, qendra klinike, qendra shëndetësore, shtëpi shëndeti, ordinanca, ambulanca dhe lloje të tjera të kujdesit dhe shërbimeve shëndetësore për popullatën.

“Nëpërmjet regjistrimit do të dihet saktësisht në cilën komunë sa mjekë jetojnë dhe punojnë. Sipas këtij numri, autoritetet do të jenë në gjendje të përcaktojnë se në cilën komunë ka tepricë ose mungesë të mjekëve. Regjistrimi, gjithashtu, sipas numrit të popullsisë së regjistruar, do të përcaktojë nëse një komunë ka nevojë për një spital të ri me personel të shtuar mjekësor ose, anasjelltas, mund të përcaktojë që ka më shumë personel në krahasim me numrin e popullsisë. Regjistrimi i popullsisë do të “tregojë” nëse kryeqyteti ka nevojë për një qendër të re, më të madhe dhe me më shumë klinika” tha ish-drejtori i Entit të Statistikës, Donco Gerasimovski.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme të bëhet regjistrimi sepse ai do t’i ndihmojë institucionet kompetente të planifikojnë kuadrin e ardhshëm mjekësor. “Nëpërmjet rregjistrimit do të përcaktohet jo vetëm sa kirurgë ose mjekë të përgjithshëm ka në vend, por sa prej tyre do të dalin në pension së shpejti, sa do të duhet të punësohen në vendin e tyre dhe sa do të duhet të shkojnë në specializim. Regjistrimi do t’i ndihmojë, gjithashtu, autoritetet e shëndetësisë dhe

arsimit që të vlerësojnë se sa dhe çfarë lloj personeli do të duhet të arsimohen në shkollat e mesme mjekësore dhe fakultete në vitet e ardhshme”, tha Gerasimovski.

Në vitin 2012, është miratuar një Dekret për rrjetin e institucioneve të kujdesit shëndetësor (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 43/12), me të cilin u përcaktua numri maksimal i ekipeve në institucionet e kujdesit shëndetësor të nivelit primar, për kryerjen e aktiviteteve të kujdesit shëndetësor primar dhe të veprimtarisë farmaceutike, kurse gjithashtu u krijua edhe një rrjet i institucioneve shëndetësore në nivelin sekondar dhe një rrjet i institucioneve shëndetësore në nivelin terciar. Për të gjitha këto nivele, rrjeti përcaktohet në bazë të normativave demografike. Për shembull, një ekip i mjekësisë së përgjithshme i përbërë nga një mjek i zgjedhur dhe një infermiere për 1000 banorë; në kujdesin shëndetësor sekondar – një specialist për anesteziologji dhe reanimacion për 20.000 banorë; një specialist i infektologjisë për 45.000 banorë ose një farmaci për 3.000 banorë.

Megjithatë, ligji lejon ndryshime në numrin e ekipeve dhe mjekëve, në bazë të një vlerësimi të nevojave të popullatës për shërbime shëndetësore, në bazë të moshës, gjinisë, strukturës sociale dhe statusit shëndetësor të banorëve të zonës, zhvillimit teknologjik dhe shkencor në fushën e shëndetësisë, shkallën e urbanizimit të zonës, specifikat e popullsisë, lidhjet e trafikut, migrimet e popullsisë dhe qasjes në objektet shëndetësore nëse bëhet fjalë për zonat e rrezikuara nga ana demografike. Që të bëhet planifikimi i duhur i kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet, shumica e këtyre të dhënave sigurohen nëpërmjet regjistrimit.

Nëse nuk e dimë numrin e saktë të popullsisë, nuk mund të llogarisim se sa njerëz nga personeli mjekësor, mjekë, infermierë dhe personel ndihmës mjekësor nevojiten për të përmbushur nevojat e një territori të caktuar. Që të mos harxhohen dhe që të mos shpenzohen shumë mjete në të holla, për të gjitha planifikimet në shëndetësi është e nevojshme të dini se sa fëmijë të sapolindur ka, fëmijë në moshën parashkollorë dhe të moshës shkollore, sa njerëz produktivë dhe të aftë për punë ka, kurse sa të moshuar ka atje.

Regjistrimi do të na japë të dhëna të rëndësishme për mbrojtjen shëndetësore të qytetarëve

Ekspertët janë të njëzëshëm se regjistrimi i popullatës duhet të bëhet, midis të tjerash, edhe që të dihet saktë sa është rritja natyrore, indeksi vital dhe nataliteti. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme edhe statistika e sëmundjeve të popullatës, si statistika e përgjithshme ashtu edhe ajo specifike e morbiditetit. Pa regjistrim, nuk e dimë se nga cilat sëmundje na vdes popullata, sepse të gjithë këta parametra të rëndësishëm llogariten për një popullatë të caktuar, në një territor të caktuar, për një periudhë kohore të caktuar dhe për ta duhet të kemi të dhëna të reja.

Me të dhënat e regjistrimit mbi fertilitetin (numrin e foshnjave të lindura të gjallë në raport me numrin e grave në periudhën riprodhuese), për shembull, mund të bëhet strategji afatgjatë për mbrojtje parandaluese të fëmijëve dhe të përcaktohet a do të ketë zmadhim apo zvogëlim të shpenzimeve (zbatim i programeve për imunizim etj.).

Në shtetin tonë, në bashkësinë rome, për shembull, ka mortalitet të zmadhuar të foshnjave të sapolindura dhe bebeve 13,1/1000 romë përkundrejt 10/1000 në nivel nacional. Kjo nënkupton se institucionet shëndetësore në ato rajone duhet të adaptohen sipas nevojave shëndetësore të grupit etnik (për shembull, më shumë gjinekologë, zmadhim i personelit

mjekësor në shërbimin patronazh që do të mundësonte frekuencë më të madhe të vizitave dhe mbrojtje më të mirë shëndetësore).

Regjistrimi na jep të dhëna edhe mbi përqindjen e plakjes së popullsisë. Në SHBA, për shembull, në vitin 1950 popullsia mbi moshën 65 vjeç ishte 8.1% e popullsisë së përgjithshme. Kjo përqindje në vitin 2050 sipas parashikimeve statistikore do të jetë 20.2%. Nëpërmjet analizës së numrit të punonjësve shëndetësorë është përcaktuar se ky numër nuk do të jetë i mjaftueshëm që t’i përmbushë nevojat e popullsisë e cila po plaket. Spitalet, gjithashtu, do të kenë nevojë për specialistë të sëmundjeve kronike të cilat janë karakteristikë të popullatës së moshuar, si dhe institucione të kujdesit paliativ dhe të kujdesit për të moshuarit.

Jasmina Georgieva nga Enti Shtetëror i Statistikëse thotë se regjistrimi do të japë një përgjigje dhe një shifër të saktë se sa qytetarë të brezit të vjetër qëndrojnë në shtëpitë e pensionit dhe në institucionet private të kujdesit. “Në regjistrimin do të ketë edhe të a.q. “pyetje të Uashingtonit”. Këto pyetje do t’u japin pasqyrë institucioneve shtetërore në cilën komunë sa persona kanë gjendje shëndetësore të dëmtuar, të themi, invaliditet, shikim të dëmtuar, dëgjim të dëmtuar ose vështirësi të tjera. “Nëpërmjet këtyre pyetjeve, do të dihet nëse ata persona kanë kushte të përshtatshme që t’i kryejnë vetë obligimet dhe detyrat e veta, a përdorin mjet ndihmës ose ndihmë nga një person tjetër, etj.”, thekson Georgieva.

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë thonë se regjistrimi është i rëndësishëm për një vlerësim më të mirë të popullsisë dhe për të përcaktuar se ku dhe sa kapacitete shëndetësore nevojiten (burimet njerëzore, infrastruktura shëndetësore). Ata shtojnë se në këtë mënyrë, Ministria do të jetë në gjendje të planifikojë investimet e radhës për rikonstruktim të objekteve ekzistuese dhe për ndërtimin e objekteve të reja shëndetësore, por edhe për sigurimin e personelit adekuat mjekësor në shtet.

Punonjësit shëndetësorë me të cilët biseduam thonë se me të dhënat e regjistrimit, mund të bëhet krahasim me bazën e të siguruarve në Fondin e Sigurimit Shëndetësor dhe në këtë mënyrë të identifikohen personat të cilët nuk janë përfshirë në sistemin e sigurimit shëndetësor.

Domethënë, regjistrimi është një operacion jashtëzakonisht i rëndësishëm statistikor nga i cili varet zhvillimi shoqëror dhe krijimi i politikave të ardhshme zhvillimore në pothuajse të gjitha sferat e jetesës, duke përfshirë edhe shëndetësinë dhe mbrojtjen shëndetësore.

Shkurtimisht, të dhënat e regjistrimit do t’i mundësojnë pushtetit shëndetësor dhe Qeverisë në tërësi, të krijojnë strategji dhe politika shëndetësore efikase të cilat do t’u sigurojnë qytetarëve mbrojtje shëndetësore cilësore dhe qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse mbrojtja shëndetësore është e drejtë e garantuar kushtetuese për çdo qytetar. Neni 39 i Kushtetues thotë në mënyrë eksplicite: “Çdo qytetari i garantohet e drejta e mbrojtjes shëndetësore. Qytetari ka të drejtë dhe obligim ta ruajë dhe përparojë shëndetin personal dhe shëndetin e të tjerëve”.

Goran Naumovski

Artikulli është përgatitur me mbështetje nga Fondacioni shoqëria e hapur Maqedonia (FSHHM). Përmbajtja është përgjegjësi e NVO Infocentar dhe ajo nuk i shpreh gjithmonë qëndrimet e FSHHM.

Butoni Kthehu në krye
Mbylle