0_Maqedoni.Portal SQBiznes SQBiznes.portal SQEkonomi SQMKD-AL SQ

Regjistrimi 2021 dhe agrari

Regjistrimi do të mundësojë krijimin e politikave zhvillimore cilësore në bujqësi. Nuk mund të krijohet strategji cilësore agrare pa të dhëna zyrtare statistikore. Ky është mesazhi i agroekspertëve të cilët insistojnë vite me radhë në zbatimin e regjistrimit të popullatës dhe ekonomive familjare, si dhe zbatimin e regjistrimit bujqësor, që të merren të dhëna relevante mbi numrin e të bujqve, mbi resurset dhe mbi potencialin që e posedon vendi.

Shkup, 19 shtator 2021 (MIA) – Regjistrimi do të mundësojë krijimin e politikave zhvillimore cilësore në bujqësi. Nuk mund të krijohet strategji cilësore agrare pa të dhëna zyrtare statistikore. Ky është mesazhi i agroekspertëve të cilët insistojnë vite me radhë në zbatimin e regjistrimit të popullatës dhe ekonomive familjare, si dhe zbatimin e regjistrimit bujqësor, që të merren të dhëna relevante mbi numrin e të bujqve, mbi resurset dhe mbi potencialin që e posedon vendi. Edhe pse në regjistrimin aktual nuk do të regjistrohen sipërfaqet bujqësore dhe a përpunohen ato, as pajisja që përdoret, ai do të japë një pasqyrë të qartë se për sa njerëz bujqësia është veprimtari primare, kurse për sa veprimtari shtesë. Do të dihet struktura e moshës e këtyre personave, kurse do të mësohet se sa popullatë dhe çfarë popullate jeton në mjediset rurale, që është baza e zhvillimit të agrokompleksit në vend.

Gjithnjë dhe më pak bujq të rinj

Në rrethin e Strumicës prej vitesh flitet se numri i sipërfaqeve bujqësore të papërpunuara po rritet dhe se numri i fermerëve është në rënie. Konstatimet e tilla, në mungesë të shifrave zyrtare, vijnë nga vetë fermerët. Boris Zekirov nga Novo Sellë e Strumicës ka rreth 2 hektarë pemishte. Sipas tij, punohet vetëm 20% e fushës së Strumicës. Tokat e tjera janë lënë pas dore. Ai thotë se nëpër fusha nuk ka më bujk të ri, por se kanë mbetur vetëm më të rriturit.

“E shikoni që një pjesë e mirë e tokës është e papunuar. Edhe ajo më pjellorja është e papërpunuar. Tokat e fshatrave Mokrino, Mokrievo, për shembull. Këtu në këtë pjesë të Luginës së Strumicës toka nuk ka qenë kurrë e papunuar. Konkluzioni im është se tashmë bëhet seleksionim natyror dhe dihet se cila tokë do të punohet, kurse cila jo.

Është për të ardhur keq që midis atyre që punojnë tokën, ka pak të rinj. “Unë mendoj se do të ketë një rritje të lehtë të çmimeve të produkteve bujqësore, sepse këtu nuk ka kush të punojë më” tha Zekirov.

Të dhënat nga subvencionet japin pamje joreale

Të dhëna të sakta sesa sipërfaqe toke në rrethin e Strumicës punohet nuk kanë as shoqatat bujqësore. Thonë se marrin një pamje të caktuar në bazë të subvencioneve të paguara sipas sipërfaqes dhe tokës. Sipas tyre, kjo pasqyrë është joreale sepse prej vitesh nuk është bërë regjistrim i popullsisë i cili ndër të tjera duhet të japë një përgjigje se sa sipërfaqe përpunohet dhe sa është fondi blegtor në vend. Risto Vellkov nga Lidhja e Prodhuesve Bujqësorë thotë se duhet të ketë regjistrim para së gjithash, që të dihet se cili është numri i fermerëve realë, veprimtaria primare e të cilëve është bujqësia dhe numri i bujqve për të cilët bujqësia nuk është veprimtari primare. Kështu, shteti do të dijë se cilët janë bujqit “e vërtetë” dhe në bazë të atyre numrave do të ndërtohen strategji të ardhshme.

“Është jolegjitime që të dhënat relevante mbi sektorin agrar merren nga baza e të dhënave me numra të vendosur nga sfera e subvencioneve apo bujqve të subvencionuar. Mendoj se kjo nuk është reale dhe se kemi politikë të rremë në sektorin e bujqësisë, sepse e gjitha ajo që subvencionohet nuk do të thotë se edhe përpunohet, ose përsëri se prodhon. E njëjta gjë vlen

edhe për prodhimin bimor edhe për atë shtazor. Do të theksoj se është e patjetërsueshme të ketë regjistrim që të arrihen të dhëna relevante, të dhëna të cilat do të ndikojnë, si dhe në çfarë mënyre duhet të subvencionohet prodhimi bujqësor në vendin tonë”, thekson Vellkov.

Shteti nuk mund të ndërtojë një politikë të përshtatshme agrare nëse nuk ka statistika zyrtare, konsiderojnë ekspertët universitarë. Profesori nga Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin e Shtipit “Goce Dellçev”, Dushan Spasov, thotë se treguesit statistikorë janë jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe thelbësorë për bujqësinë. Sipas tij, në vend nuk dihet se cila është struktura e moshës së bujqve dhe se prandaj nuk mund të ndërtohen strategji të përshtatshme. Nuk është njësoj në terren të kesh bujq të aftë për punë dhe bujq që janë në prag të pensionit, konstaton Spasovi.

“Që të zbatohet një politikë agrare është e rëndësishme të dihet struktura e moshës së popullatës. Për fat të keq, duhet të konstatoj se të rinjtë po largohen nga shteti. Nëse mbetemi ne, njerëz që merren me bujqësi dhe kanë mbi 50 përkatësisht 55 vjet, çfarë mund të presim”, pyet Spasovi.

Komuna Novo Sellë është bujqësore, por edhe komuna me valën më të madhe të shpërnguljes. Kryetari i komunës Nikolla Andonov konsideron se të gjitha politikat lokale që krijohen bëhen në bazë të parashikimeve dhe supozimeve. Sa për ilustrim, në këtë komunë, ku fshatrat janë gjysmë të zbrazur, sipas regjistrimit të fundit të vitit 2002 ka 11.456 qytetarë, kurse kaq qytetarë, momentalisht, ka dhe në listën e vetme zgjedhore. Kjo është e palogjikshme thotë ai.

“Në regjistrimin e atëhershëm është bërë një gabim ose lëshim i madh për Komunën e Novo Sellës. Kemi 11.456 votues, kurse kemi po aq banorë. Në mandatin e parë, i kërkova Ministrisë së Drejtësisë të korrigjojë këtë gabim, por ata m’u përgjigjën se do të duhet të presim regjistrim të ri. Kjo është një shenjë dhe dëshmi se nuk kemi të dhëna të sakta për asgjë, as për bërjen e politikave, as për investimet në komunë. Shumë gjëra i bëjmë në bazë të parashikimeve, kurse pa të dhëna të sakta”, konstaton Andonov.

Të gjithë konsiderojnë se pa shifra statistikore zyrtare nuk mund të krijohen politika cilësore. Pa numra zyrtarë mbi popullatën, mbi strukturën e saj, mbi ekonomitë bujqësore, mbi madhësinë e tokës potenciale të punueshme, mbi shfrytëzimin e saj, mbi fondit blegtor nuk mund të pritet përparim në bujqësinë maqedonase. Regjistrimi aktual duhet të japë bazë të dhënash që të mund të planifikohen dhe të krijohen politika zhvillimore, para së gjithash, në pjesën rurale të shtetit. Por për zhvillimin e bujqësisë, përveç regjistrimit të popullatës është i domosdoshëm të zbatohet sa më shpejt edhe regjistrimi bujqësor.

Autor: Vane Trajkov

Artikulli është përgatitur me mbështetje nga Fondacioni shoqëria e hapur Maqedonia (FSHHM). Përmbajtja është përgjegjësi e NVO Infocentar dhe ajo nuk i shpreh gjithmonë qëndrimet e FSHHM

______________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Butoni Kthehu në krye
Mbylle