Ballkan SQBallkan.portal SQKorrespondentë Botë

Rama e falënderoi Kurtin për urimet dhe paralajmëroi vizitë të shpejtë në Kosovë

– Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot konfirmoi se do ta vizitojë Prishtinën pas kthimit nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së.

Tiranë, 17 shtator 2021 (MIA) – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot konfirmoi se do ta vizitojë Prishtinën pas kthimit nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së.

Në Tuiter, ai u falënderua për urimet dhe ftesën të cilën ia dërgoi homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, dhe e paralajmëroi ardhjen e tij menjëherë pas vizitës në Nju-Jork ku do të marrë pjesë në punën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së.

“Faleminderit Albin Kurti. Do ta vizitoj Kosovën me kënaqësi të madhe, sapo të kthehem nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së. Të fillojmë menjëherë të përgatisim mbledhje të përbashkët. Dëshiroj me gjithë zemrën time dhe jam i bindur se do të bëjmë shumë punë të mira për dy shtetet tona”, shkroi Rama në Tuiter.

Paraprakisht, Kurti e uroi Ramën për rizgjedhjen e kryeministrit shqiptar dhe e ftoi që ta vizitojë Prishtinën që të bisedojnë rreth përgatitjeve për mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive.

Kurti në urim ka theksuar se ky është mandati i tretë dhe është mundësia e tretë për zbatimin e projekteve që një kohë të gjatë i presin shqiptarët e të dyja anëve të kufirit.

Ai  e shprehu gatishmërinë e tij të plotë edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta “rrisë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin tregtar dhe integrimin e tregut”, duke i mënjanuar barrierat ndërmjet shqiptarëve. fc/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle