0_Maqedoni.Portal SQ0_Web_Ballina – Sllajder SQ0_Web_Përzgjedhja e redaktorit SQBiznes SQBiznis.Slajder SQEkonomi SQMakedonija.Slajder SQShoqëri SQ

Qeveria do të subvencionojë çmimin e energjisë termike në mënyrë që qytetarët e Shkupit të mos paguajnë fatura më të larta

Qeveria propozon të subvencionojë çmimin e energjisë termike për amvisëritë në Shkup në lartësi prej 80 për qind, ndërsa pjesën e mbetur prej 20 për qind të mbulojë Qyteti dhe komunat e Shkupit, me çka shpenzimet për energji termike të amvisërive do të mbeten të pandryshuara, informoi sot në konferencën për media ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski.

Shkup, 11 dhjetor 2022 (MIA) – Qeveria propozon të subvencionojë çmimin e energjisë termike për amvisëritë në Shkup në lartësi prej 80 për qind, ndërsa pjesën e mbetur prej 20 për qind të mbulojë Qyteti dhe komunat e Shkupit, me çka shpenzimet për energji termike të amvisërive do të mbeten të pandryshuara, informoi sot në konferencën për media ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetari i Komisionit Rregullativ për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimovski.

Ministri Bekteshi theksoi se Qeveria në koordinim me të gjitha institucionet kompetente në sektorin energjetik dhe pas konsultimeve me Komisionin Rregullator për Energjetikë, u ka propozuar kompanive që kanë licencë për prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimin me ngrohje, diferencën nga çmimi aktual deri në atë real i ngrohjes ta mbulojë Qeveria nga Buxheti në vlerë prej 80 për qind, ndërsa 20 për qind e mbetur, me qëllim që të mbyllet gjithë struktura financiare dhe të garantohet siguri dhe stabilitet në furnizimin me energji termike të konsumatorëve, do të duhet t’i mbulojë Qyteti i Shkupit dhe komunat në kuadër të qytetit.

“Mjetet për diferencën nga çmimi aktual deri në atë real të energjisë termike, Qeveria në emër të konsumatorëve, shfrytëzuesve apo amvisërive që janë shfrytëzues të energjisë termike, si dhe institucionet publike, do t’ia paguajë BEG-ut, me ç’rast BEG-u do të zotohet të ulë faturat e konsumatorëve, gjegjësisht amvisërive nuk do të marrin fatura më të larta për energji termike”, tha Bekteshi.

Njëherësh, ai theksoi se ndihma e Qeverisë do të vlejë për tërë vitin në pjesën e diferencës nga çmimi aktual deri në çmimin që do ta përcaktojë KRRE-ja.

“Mbështetja do të vlejë për të gjitha amvisëritë në Qytetin e Shkupit, që shfrytëzojnë rrjetin e ujit termik, duke përfshirë EEM-në, Shkupi-Veri dhe BEG-un. Sa u përket projeksioneve, Qeveria do të ndajë përafërsisht pesë milionë euro, ndërsa Qyteti i Shkupit dhe komunat do të duhet të paguajnë një milionë euro për tërë vitin”, tha ministri Bekteshi.

Kryetari i KRRE-së Bislimovski theksoi se Qeveria ka treguar solidaritet me qëllim që qytetarët të mos e bartin barrën e krizës energjetike.

“Zgjidhja është si vijon, KRRE-ja do të marrë vendim me të cilin çmimet e energjisë termike do të jenë reale. Diferenca ndërmjet këtij çmimi real dhe çmimit ekzistues do të mbulohet në pjesën më të madhe nga Qeveria, e në një pjesë krejtësisht minimale nga Qyteti i Shkupit dhe nga komunat në Qytetin e Shkupit. Në këtë mënyrë do të sigurohet likuiditeti i duhur edhe i BEG prodhimtaria edhe  i BEG shpërndarja edhe i BEG furnizimi. Gjithashtu, ajo që duhet të dihet është se me këto masa, shpenzimet për energji termike të amvisërive në Qytetin e Shkupit do të mbeten të pandryshuara”, tha Bislimovski.

Mes tjerash, ai u bëri thirrje përfaqësuesve të kompanive që ushtrojnë veprimtari energjetike në fushën e energjisë termike ta pranojnë këtë propozim, meqë është real dhe meqë u siguron likuiditet dhe ajo që është më e rëndësishme siguron që të mos ketë rritje të shpenzimit për energji termike të qytetarëve të Qytetit të Shkupit.

Bislimovski u pyet edhe për atë nëse do të ketë rritje të re të çmimit të energjisë termike, me ç’rast u përgjigj se KRRE-ja në dhjetor miratoi çmime të reja të energjisë termike në Qytetin e Shkupit, me çka ato u rritën për 14 për qind.

“Me ndryshimin e çmimit të energjisë termike në të ardhmen shpenzimet e qytetarëve për ngrohje në Qytetin e Shkupit do të mbeten të pandryshuara, për arsye se diferenca e shpenzimit të rritur për faturën e janarit do të mbulohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Bislimoski.

Ai theksoi se të gjitha kompanitë në shtet që furnizohen me gaz natyror janë përballur me rritje të konsiderueshme të çmimit të gazit natyror, i cili arrin shumë mbi 14 për qind.

“Këtë që po e ndërmerr KRRE-ja në koordinim me Qeverinë do të thotë se konsumatorët e energjisë termike në Qytetin e Shkupit nuk do të kenë shpenzim të rritur për energji termike meqë diferencën do ta subvencionojë shteti. Me të dhëna konkrete do të dalim në ditët në vijim”, shtoi Bislimoski.

 

Butoni Kthehu në krye
Mbylle