0_Web_Ballina – Sllajder SQEvropë SQEvropë.Portal SQKRIZA RUSO-UKRAINASE

Ofensiva e Rusisë në Donbas tashmë ka filluar, deklaroi një zyrtar i lartë ukrainas

Ofensiva më e re ruse në Donbas tashmë ka filluar, deklaroi mëngjesin e sotëm një zyrtar i lartë ukrainas, duke shtuar se Rusia vazhdon të përforcojë forcat në rajonin lindor të Ukrainës.

Kiev, 11 prill 2022 (MIA) – Ofensiva me e re ruse në Donbas tashmë ka filluar, deklaroi mëngjesin e sotëm një zyrtar i lartë ukrainas, duke shtuar se Rusia vazhdon të përforcojë forcat në rajonin lindor të Ukrainës.

“Nga këndvështrimi im, ofensiva e madhe (në lindje të Ukrainës) tashmë ka filluar,” tha në televizionin publik Vadim Denisenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës.

“Duhet të kuptojmë se kjo nuk do të jetë një përsëritje e 24 shkurtit, kur filluan sulmet dhe shpërthimet e para ajrore dhe kur thoshim “lufta filloi”. “Ofensiva e madhe de fakto ka filluar tashmë”, tha ai.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thonë se manovra të rëndësishme nga forcat ruse janë parë ditët e fundit drejt Donbasit, pasi Rusia dështoi në pushtimin e Kievit.

“Rusët po mbledhin forcat dhe pajisjet në Donjeck dhe Donbas. Nuk ka ende beteja të mëdha për të cilat është folur kaq shumë ditët e fundit, por në përgjithësi, mund të themi se ofensiva tashmë ka filluar”, tha Denisenko.

Këshilltari i ministrit ukrainas deklaroi se shpërthimet jehuan në rajonin e Dnjeproptrovsk mbrëmë dhe shtoi se granatimet e Harkovit, qyteti i dytë më i madh ukrainas, po vazhdojnë.

Sergei Gaidai, kreu i administratës ushtarake të Luganskut, tha se autoritetet ukrainase po organizonin “evakuim të përshpejtuar” nga Donbasi, duke shtuar se më shumë trena evakuimi nga Lugansku dhe Donjecku ishin planifikuar për sot. sn/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle