0_Maqedoni.Portal SQKorrespondentë MaqedoniLajme nga komunat SQPartitë politike SQPolitikë SQZgjedhjet Lokale 2021

Murseli: Nuk mund të lejojmë që Tetova edhe më tutje të shkatërrohet, do të fitojmë sepse kemi zgjidhje të problemeve

- Tubimin e fundit në fushatën parazgjedhore koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e kishte në Tetovë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela nga Tetova porositi se pas 20 viteve do të sjellin ndryshime dhe fitore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Tetovë, 15 tetor 2021 (MIA) – Tubimin e fundit në fushatën parazgjedhore koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa e kishte në Tetovë. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela nga Tetova porositi se pas 20 viteve do të sjellin ndryshime dhe fitore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarët janë vetëdijesuar, u ngritën në këmbë, Tetova u ngrit në këmbë, ndërsa ne do të sjellim ndryshime dhe fitore. Mos e humbni besimin në politikë, edhe ne e humbëm besimin në politikën e keqe, mashtruese, manipuluese dhe shantazhuese të kryesuar nga BDI-ja. Ne jemi gjithashtu të dëshpëruar nga ata, por nuk qëndrojmë në shtëpi, dalim dhe luftojmë me këtë politikë dhe ju bëjmë thirrje dhe shtrijmë dorën, bashkë të luftojmë kundër kësaj politike të keqe 20-vjeçare e cila na e mbyti shpresën. Të votoni me ndërgjegje të pastër dhe kështu t’i dënoni ata që janë të mbrojtur nga qeveria dhe prokuroria për tragjedinë që ndodhi në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona”, tha Ziadin Sela nga Tetova.

Afrim Gashi, lideri i Alternativës shfaqi bindje se tetovarët kanë vullnet për ndryshim që do të ndodhë me kandidatin për kryetar të komunës, Vullnet Murseli.

“Kjo fushatë ka dy faza, faza e parë është grumbullimi i votave, faza e dytë, numërimi i votave. Sonte po përfundon një punë e madhe e grumbullimit të votave, gjatë 20 ditëve të kaluara i vizituam të gjitha komunat derisa mbërritëm këtu, i promovuam sa më shumë që është e mundur kandidatët më të mirë, zgjodhëm programe më të mira, ofruam kandidatë më të mirë për këshilltarë, ofruam zgjidhje për problemet të cilat i la BDI-ja, të pazgjidhura gjatë këtyre 20 viteve, folëm me secilin qytetar”, theksoi Afrim Gashi.

Vullnet Murseli, kandidat për kryetar të Tetovës tha se për këto tri javë ka vizituar shumë vende dhe ka parë njerëz të dëshpëruar nga menaxhimi i keq i qytetit dhe për këtë konsideron se tani tashmë tetovarët meritojnë më mirë.

“Kemi dëgjuar shumë ide, shumë probleme, nuk mund të lejojmë që Tetova të shkatërrohet edhe më tej, nuk do të lejojmë që Teuta Arifi apo dikush tjetër të shkatërrojë Tetovën, ky është qyteti ynë, ne do të bëjmë çmos dhe do ta kthejmë krenarinë. Ne kemi ekipin më të mirë, kemi mbështetjen e të gjithë atyre që mendojnë mirë për Tetovën, me ne janë të gjithë ata që nuk i duan gënjeshtrat, mashtrimet, arrogancën dhe vjedhjet. Ne do të fitojmë sepse kemi zgjidhje për problemet. Ju premtoj një gjë, kur ta fitojmë Tetovën do të fitojmë në të gjithë Maqedoninë, erdhi fundi dhe ata e dinë këtë, Tetova ka vullnetin për fitore të pastër”, theksoi Vullnet Murseli.

Në tubimin foli edhe bartësi i listës së kandidatëve për këshilltarë për Komunën e Tetovës, Muzafer Etemi, kandidatët për kryetarë nga komuna të tjera dhe funksionarë të të dyja partive. fc/

Kontrolloni gjithashtu

Mbylle
Butoni Kthehu në krye
Mbylle