0_Web_Ballina – Sllajder SQBiznes SQBiznis.Slajder SQ

“Munich Re”: Dëmet nga fatkeqësitë natyrore në mbarë botën vitin e kaluar arritën në 120 miliardë dollarë

Viti i kaluar 2021 është dëshmuar si një nga vitet më të shtrenjta në historinë e sigurimeve, para së gjithash për shkak të uraganeve dhe stuhive dimërore në SHBA, njoftoi kompania e risigurimeve “Munich Re”, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike i rrisin shanset për ngjarje ekstreme të motit.

Mynih, 10 janar 2022 (MIA) – Viti i kaluar 2021 është dëshmuar si një nga vitet më të shtrenjta në historinë e sigurimeve, para së gjithash për shkak të uraganeve dhe stuhive dimërore në SHBA, njoftoi kompania e risigurimeve “Munich Re”, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike i rrisin shanset për ngjarje ekstreme të motit.

Dëmet nga fatkeqësitë natyrore vitin e kaluar ishin rreth 120 miliardë dollarë, ndërsa ishin më të larta vetëm në vitin 2017 kur arritën në 146 miliardë dollarë, për shkak të uraganeve Harvi, Irma dhe Maria.

Një vit i vështirë ishte edhe 2011, kur pati një sërë tërmetesh të forta në Japoni dhe Zelandën e Re dhe 2005 kur Uragani Katrina shkatërroi Nju Orleansin.

Vlerësimi i “Munich Re” është më i lartë se ai i “Swiss Ra”, i cili në dhjetor vlerësoi se dëmi total i siguruar në 2021 është 105 miliardë dollarë.

Kompania “Munich Re” kumtoi se pjesa e SHBA-së e dëmeve të vitit të kaluar ishte jashtëzakonisht e lartë për shkak të tornados së dhjetorit, uraganit Ida dhe stuhive dimërore në Teksas.

“Imazhet e fatkeqësive natyrore në vitin 2021 ishin shqetësuese. Hulumtimet e klimës po konfirmojnë gjithnjë e më shumë se shanset për ngjarje ekstreme të motit janë rritur,” tha anëtari i bordit të “Munich Re”, Torsten Jevorek.

Në fatkeqësitë natyrore të vitit të kaluar e humbën jetën rreth 10,000 njerëz, pothuajse në të njëjtin nivel si në vitet e mëparshme. Dëmi total, përfshirë atë që nuk mbulohej nga sigurimet, është 280 miliardë dollarë dhe është i katërti në shkallën e pasojave materiale të shkatërrimit.

“Statistikat e fatkeqësive të vitit 2021 bëjnë një përshtypje të fortë, pasi disa ngjarje ekstreme të motit bien në kategorinë e atyre që me shumë gjasa do të bëhen më të shpeshta ose më të rënda për shkak të ndryshimeve klimatike,” deklaroi shkencëtari kryesor i klimës dhe gjeografisë në “Munich Re”, Ernest Rauç.

Shumë shkencëtarë pajtohen se ngjarjet e motit në vitin 2021 janë përkeqësuar nga ndryshimet klimatike dhe se ngrohja globale do ta përkeqësojë situatën gjatë dekadës së ardhshme dhe më tej.

Mediat britanike theksojnë se në disa raste kompanitë e sigurimeve i kanë rritur çmimet e policave për shkak të probabilitetit më të madh të një fatkeqësie natyrore, madje në disa edhe i kanë pezulluar shërbimet e sigurimit. ls/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle