MIA Flesh SQMIA Radio Flash SQ

MIA Flesh

15:00/22 korrik/2021

Shkup– Shoqata ekologjike e qytetarëve “Front 21/42” i shtroi letër Komitetit për trashëgimi botërore, të mbështetur prej 18 organizatave të Maqedonisë dhe 15 të Shqipërisë, me apel për regjistrimin e rajonit të Ohrit në Listën e trashëgimive botërore në rrezik. Tridhjetë e katër organizata shprehin shqetësimin për gjendjen në rajonin e Ohrit, i cili, siç thonë, nuk është pasojë e luftës ose katastrofës natyrore, por arsyet më të zakonshme për vlera të shkatërruara dhe shpalljen e trashëgimeve botërore në rrezik janë rezultat i drejtpërdrejtë i menaxhimit me trashëgimi nga autoritetet lokale dhe qendrore të të dyja shteteve.

Shkup– Enti shtetëror për pronësi industriale (ESHPI) në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka evidentuar numër të rritur të kërkesave të parashtruara për mbrojtjen e markave tregtare për 31 përqind dhe për 7,9 përqind më shumë kërkesa të parashtruara për mbrojtjen e patentave në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në mënyrë statistikore, në gjysmën e parë të vitit 2020, deri tek Enti shtetëror për pronësi industrial janë parashtruar 563 kërkesa për mbrojtjen e markave tregtare dhe në gjashtë muajt e parë të vitit 2021 ky numër u rrit në 737 kërkesa.

Shkup- Në rajonin e Shkupit, nesër në periudhën nga ora 18:45 minuta deri në ora 20:30, për shkak të marshit protestues, Njësia për siguri në komunikacion pranë SPB Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit, informon Ministria e Punëve të Brendshme. Protesta do të fillojë në ora 18:45 minuta para Ministrisë së Punëve të Jashtme, në rrugën “Filipi I Dytë Makedonski”, përmes rrugës “11 Tetori”, rruga “Dimitrie Çupovski”, rr. Rruga “Vasil Glavinov”, më pas përmes bulevardeve “VMRO” dhe “Ilinden”., para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup– Kryeministri Zoran Zaev thotë se LSDM-ja pajtohet që data e zgjedhjeve lokale të bëhet edhe 17 tetori, siç kërkon opozita, nëse për këtë arrijnë marrëveshje të gjitha partitë. Propozimin, që zgjedhjet të mbahen më 31 tetor, siç tha, e ka dhënë vetëm për shkak të përputhjes së terminëve për fushatë me terminin e mbajtjes së regjistrimit të popullatës.

Shkup– Të akuzuarit për prodhimtari dhe shpërndarje të pornografisë së fëmijëve në lëndën “Dhoma publike”i cili është një grup me të njëjtin emër që u hap dhe u përdor nga disa anëtarë përmes rrjetit social Telegraf, me dëshirë  kanë lejuar të bëhet e arritshme te anëtarët e grupit,  përmbajtja me audio-video-material në të cilin janë treguar veprime gjinore me fëmijë. Këtë sot në Gjykatën Penale  në fjalët hyrëse e theksoi prokurori Vlladimir Milloshevski në seancën e parë gjyqësore për  lëndën “Dhoma publike” në të cilin janë akuzuar D.K. 32 vjet dhe M.P. 22 vjet. I pari si themelues dhe administrator i grupit, ndërsa i akuzuari i dytë si administrator dhe moderator i grupit, të cilët, sipas prokurorit, janë obliguar të kujdesen për  përmbajtjet tekstuale, vizuele dhe audiovizuele të ngjitura nga anëtarët e grupit.

Shkup – Kryeministri Zoran Zaev thotë se vendimi për atë se si do të dilet në zgjedhjet lokale në të gjitha komunat, e madje edhe në Tetovë, dhe nëse LSDM do ta mbështesë dikë, do të varet nga personat të cilët do të kandidojnë. “Së pari t’i shohim kandidatët e nominuar nga të gjitha partitë, sepse thashë të kërkoj mbështetje nga partitë më të vogla, nëse ato janë BDI, BESA, PDSH apo nuk e di, partitë e serbëve, partitë e turqve, boshnjakëve, vllehëve, romëve, duhet të ofroni edhe zgjidhje cilësore nga ajo që e keni në dispozicion. Sepse, duke iu bërë thirrje  anëtarëve tanë, e më pas edhe mbështetësve, duhet të keni argumente për vetë kandidatët. Kjo i referohet tërë vendit tonë. Nuk është vetëm Tetova. Tetova është aktuale për shkak se me siguri do të ketë më së shumti kandidatë. Unë besoj se mu përmes kandidatëve do t’i gjejmë edhe zgjidhjet”, tha Zaev, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas promovimit të kompleksit Planet.

Paris – Presidenti i Francës, Emanuel Makron sot caktoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Mbrojtjes për shkak të hetimit për rastin Pegaz. Makron dje kërkoi një sërë hetimesh për rastin me softuerin izraelit të spiunimit Pegaz. Paraprakisht, gazeta ditore franceze Le Mond publikoi se telefoni i Makronit është në listën e agjencisë marokene të zbulimit, me qëllim që të bëhet mbikëqyrje me ndihmën e softuerit për spiunim Pegaz.

Tunizi – Të paktën 17 emigrantë nga Bangladeshi e kanë humbur jetën pasi anija me të cilën po udhëtonin drejt Evropës u djeg dhe u fundos në Detin Mesdhe. Sipas emigrantëve të mbijetuar që ishin në pjesën e veçantë të anijes e humbën jetën pasi kishin paguar më pak për udhëtimin dhe u mbytën nga tymi kur u dogj motori. Në anije ka pasur rreth 400 njerëz nga Maroku, Egjipti, Siria, Bregu i Fildishtë, Libia dhe Tunizia, por marina libiane ka transportuar rreth 200 emigrantë.

Antananarivo- Prokuroria e Madagaskarit publikoi se është parandaluar përpjekje për atentat mbi presidentin e Republikës, Andri Raoxhelina ndërsa janë arrestuar më shumë persona “të huaj dhe vendorë”. Në mesin e të arrestuarve në vendin ishull pranë bregut lindor të Afrikës dhe dy shtetas francezë. “Disa shtetas të huaj dhe qytetarë të Madagaskarit janë arrestuar të martën, si pjesë e hetimit për prishjen e sigurisë shtetërore”, deklaroi mbrëmë prokurorja shtetërore Bertin Razafijarivoni.

Brazili – Video platforma Jutjub sot i hoqi videot e presidentit brazilian Zhair Bolsonaro për shkak të përhapjes së dezinformatave për Kovid-19. Në kumtesën e Jutjubit theksohet se vendimi është marrë “pas rishikimit të kujdesshëm” dhe pa u marrë parasysh funksioni dhe ideologjia politike të Bolsonaros. Presidenti i Brazilit është kritikuar për shkak të reklamimit të ilaçeve të paprovuara, përhapje të dyshimit për vaksinën kundër Kovid-19 dhe shmangia e mbajtjes së maskës.

Oslo– Në Norvegji sot shënohet 10-vjetori i ngjarjeve të përgjakshme në të cilat ekstremisti djathtist, Anders Bering Brejvik, i vrau 77 persona në sulmin më të rëndë në këtë vend nordik nga Lufta e Dytë Botërore. Më 22 korrik 2011, Brejvik fillimisht aktivizoi bombë para kabinetit të kryeministrit në Oslo, me ç’rast jetën e humbën tetë persona, ndërsa më pas u drejtua nga ishulli Utoja, ku i vrau 69 persona të grumbulluar në një kamp për laburistë të rinj.

Dushanbe– Forcat e armatosura të Taxhikistanit që sot janë në gjendje gatishmërie, për herë të parë pas fitimit të pavarësisë, që ta kontrollojnë gatishmërinë luftarake, kumtoi kabineti presidencial. Në kumtesë saktësohet se 100.000 oficerë dhe ushtarë të armatës taxhikistaneze dhe 130.000 oficerë dhe ushtarë të rezervës në mbarë vendin janë vënë në gjendje gatishmërie.

 

Butoni Kthehu në krye
Mbylle