0_Web_Aktuale SQ0_Web_Ballina – Sllajder SQEvropë SQEvropë.Portal SQ

Lajen: Përshpejtimi i zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor është prioritet

Kryetarja e Bashkimit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot bëri thirrje për përshpejtimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor.

Bruksel, 6 korrik 2021 (MIA) – Kryetarja e Bashkimit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot bëri thirrje për përshpejtimin e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, fon der Lajen në emër të Komisionit Evropian e konfirmoi përkushtimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e rajonit në rikuperimin pas krizës së shkaktuar nga pandemia e Kovid-19.

“Prioriteti ynë i parë është ta përshpejtojmë agjendën për zgjerim në mbarë rajonin dhe t’i mbështesim partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në punën e tyre me qëllim të zbatimit të reformave të nevojshme për zhvillim në rrugën evropiane. Angazhimi ynë me Ballkanin Perëndimor e tejkalon këtë, ndërsa Procesi i Berlinit ka shërbyer si inkubator për shumë nisma të cilat tani u bënë pjesë përbërëse të politikës së BE-së drejt rajonit. Së bashku e hapëm rrugën për Evropë më të qëndrueshme, digjitale dhe më rezistuese”, tha fon der Lajen.

Në kumtesën e Komisionit Evropian pas takimit thuhet se Brukseli fokusohet në mbështetjen e rajonit përmes Planit ekonomik dhe investues, i cili parasheh 500 milionë euro investime të BE-së në rajon për vitin 2021.

Komisioni, gjithashtu, bëri thirrje për progres të mëtejmë në integrimin ekonomik të rajonit që të shfrytëzohen përfitime e plota prej investimeve të planifikuara.

Komisari për Zgjerim, Oliver Varheji e përsëriti se tejkalimi i hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së është kyç për procesin e zgjerimit.

“Përmes Planit Ekonomik dhe Investues, ne sjellim mundësi të konsiderueshme për investime në rajon. Tani i mbetet rajonit t’i shfrytëzojë mirë me zbatimin e potencialit të tij të plotë ekonomik dhe vendosjen e tregut rajonal të përbashkët të bazuar në rregullat e BE-së”, tha Varheji.

Samiti i sivjetmë gjithashtu ishte mundësi të shënohet hyrja në fuqi e marrëveshjes me të cilën hiqen çmimet për roaming në rajon.

Hapi tjetër në përgatitje e sipër është heqja graduale e çmimeve në roaming midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, thuhet në kumtesën e Komisionit Evropian.

Shtohet edhe se BE solli vendim për t’i përfshirë partnerët e Ballkanit Perëndimor në listën e vendeve të treta për të cilat duhet të hiqen kufizimet për udhëtim, por gjithashtu edhe të sigurohet mbështetje financiare dhe teknike për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në sistemin e BE-së për kovid certifikatat digjitale.

Nikoqire e këtij samiti, i cili është i teti me radhë në kuadër të Procesit të Berlinit, ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel. shk/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle