Politikë SQZgjedhjet Lokale 2021

Kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu mori mandatin e ri 4-vjeçar

 Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot mori Certifikatën për mandatin e ri 4-vjeçar për të drejtuar Komunën e Çairit.

Shkup, 5 tetor 2021 (MIA) – Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu sot mori Certifikatën për mandatin e ri 4-vjeçar për të drejtuar Komunën e Çairit.

Ganiu me këtë rast theksoi se dera e Komunës së Çairit çdoherë ka qenë dhe mbetet e hapur për të gjithë pa marrë parasysh se kush troket në te.

“Ky është një mandat i fituar me besimin e plotë të banorëve të Çairit, është mandat edhe të cilin plotësisht ia dedikoj banorëve të Çairit sikurse edhe katër vitet e kaluara. Me ekipin tim, por edhe me këshilltarët e rinj komunal kuptohet do të mundohemi ta bëjmë më të mirën për Çairin tonë”, shtoi Ganiu.

Kreu i Çairit përkujtoi se katër vitet e fundit janë realizuar mbi 200 projekte në gjitha fushat nga arsimi, infrastruktura nëntokësore, kanalizimi, ndriçimi, gjelbërimi, efikasiteti energjetik, kultura, zhvillimi ekonomik lokal, Zero qen endacak, digjitalizim i shërbimeve komunale. “Por me që Çairasit e mi e meritojnë më të mirën ne kemi përpiluar edhe Programin 2021-2025  të cilin  tanimë pa humbur kohë e kemi filluar ta realizojmë dhe ky program është shumë real dhe tërësisht përkon me nevojat dhe mirëqenien Çairasve. Edhe njëherë ftoj të gjithë banorët e Çairit që së bashku të jemi partner dhe të udhëheqim Çairin, ashtu siç e kemi udhëhequr deri tani, sepse Çairi është krenaria jonë e përbashkët”, vuri në dukje kreu i Çairit, Visar Ganiu. Ai përkujtoi se Çairi është tejet i veçantë dhe tejet i bukur. “Andaj ju ftoj që me forca të bashkuara Çairin ta mbajmë në atë piedestal të ndritshëm. Do të vazhdojmë me forca të reja, duke dëgjuar vetëm një zë – zërin e popullit dhe me plot projekte të reja vetëm për të mirën e Çairit”, tha Ganiu. sa/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle