0_Maqedoni.Portal SQ0_Web_Ballina – Sllajder SQ0_Web_Përzgjedhja e redaktorit SQMKD-AL SQPolitikë SQ

Kovaçevski për MIA-n: Zvarritja e procesit të BE-së e zvogëlon përkushtimin e shoqërisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pranoi të përgjigjet në disa pyetje për MIA-n pas vizitës së tij të parë të punës në Bruksel, në selinë e BE-së dhe NATO-s, ku realizoi takime me krerët e këtyre dy organizatave.

Bruksel, 5 shkurt 2022 (MIA) – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, pranoi të përgjigjet në disa pyetje për MIA-n pas vizitës së tij të parë të punës në Bruksel, në selinë e BE-së dhe NATO-s, ku realizoi takime me krerët e këtyre dy organizatave.

Kovaçevski kërkon zgjidhje të shpejtë por edhe cilësore me Bullgarinë fqinje për hapjen e negociatave të shumëpritura dhe të merituara me BE-në, nga biseda rezulton qartë se qëllimi i Qeverisë është vendosja e besimit mes dy palëve, gjë që u mirëprit edhe nga krerët e Bashkimit Evropian. Mirëpo, kryeministri Kovaçevski i paralajmëroi bashkëbiseduesit e tij edhe se çdo vonesë e re e procesit ndikon pashmangshëm në mbështetjen e qytetarëve, por edhe në apetitin e fuqive të tjera të mëdha në Ballkanin Perëndimor.

Lidhur me konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, ai theksoi se deklaratat e ministrit të Mbrojtjes kanë qenë objekt i interpretimeve të ndryshme dhe se Maqedonia e Veriut do t’u përmbahet pozicioneve që ndërtohen bashkërisht në NATO, duke marrë parasysh edhe marrëdhëniet tregtare me Rusinë.

Në temën për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO në të ardhmen, kryeministri Kovaçevski tha se do të ishte mosmirënjohëse në këtë moment të komentohet për këtë temë.

Mirëdita, kryeministër, mirë se erdhe për herë të parë në Bruksel dhe faleminderit për këtë intervistë. Na tregoni si kaloi kjo vizitë e parë zyrtare e punës në BE dhe NATO?  

Fillimisht t’ju falënderoj për ftesën për këtë intervistë, e cila praktikisht zhvillohet pas të gjitha takimeve të planifikuara në institucionet e Bashkimit Evropian. Mund të them se kemi pasur takime të suksesshme në të gjitha takimet e planifikuara në Bruksel. Vizita filloi me një takim dhe konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens  Stoltenberg. Më pas realizuam takime me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, me kryetarin e Këshillit të Evropës, Sharl Mishell, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Lajen, si dhe takim me partitë tona simotra në Partinë e Socialdemokratëve Evropian ku gjithashtu biseduam për tema që janë të rëndësishme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ajo që është e përbashkët për të gjitha këto takime është mbështetja që kemi marrë si shtet në raport me përpjekjet për reforma që i bëjmë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U konfirmua se për ne ka mendim pozitiv që është shprehur në katër raportet pozitive të njëpasnjëshme të Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe diskutuam për mënyrën dhe shpejtësinë me të cilën do të mbahej konferenca e parë ndërqeveritare për Republikën e Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Gjithashtu, biseduam edhe për projektet që i kemi me BE-në. Sidomos në pjesën e investimeve që mbështeten, e që kanë të bëjnë me transformimin e sistemit energjetik drejt burimeve të ripërtërishme të energjisë, në ndërtimin e interkonjektorit të gazit që mbështetet gjithashtu nga BE-ja dhe ka të bëjë me diversifikimin e furnizimit tonë me gaz dhe rritje të caktuar të pavarësisë energjetike, në pjesën e infrastrukturës rrugore dhe korridoreve më të rëndësishme që kemi si dhe në mbështetje të të gjitha reformave që i bëjmë.

Biseduam edhe për rritjen e kapaciteteve, që është një nga detyrat e zëvendëskryeministrit të ri për çështje evropiane dhe sektorit për çështje evropiane, e kjo është rritje e kapacitetit të ekipeve tona që punojnë në harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë dhe përshpejtimin e punës së tyre, dhe në mënyrë që të jenë sa më të përgatitur gjatë hapjes eventuale të bisedimeve me BE-në.

Do ta ndaj intervistën në dy pjesë, BE dhe NATO. Dua të flas fillimisht për BE-në meqë këto ishin takimet e fundit dhe një nga temat kryesore për opinionin. Pyetja që e parashtrojnë të gjithë është, pas kaq shumë zhgënjimesh në rrugën tonë drejt BE-së, a druani se në qershor mund të përballemi me edhe një zhgënjim dhe si do të ndikonte kjo në atmosferën në shtet dhe mbështetjen për BE-në?  

Së pari, pyetja juaj është legjitime sepse ne si shtet, si qeveri koalicioni kemi një qëndrim unanim se qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, kjo qeveri kishte një qëndrim unik se qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi në NATO. Këtë e arritëm duke marrë vendime të vështira për shtetin, që në fund të ditës u tregua se janë të drejta duke marrë parasysh se jemi bërë anëtare e NATO-s dhe jemi pjesë e aleancës më të madhe mbrojtëse në botë. Në raport me BE-më, ky qëllim ende nuk është arritur dhe kjo ka të bëjë me faktin se kemi një sfidë dhe çështje të hapur dypalëshe me Republikën e Bullgarisë që duhet zgjidhur sa më parë. Unë them se na duhet shpejtësi në zgjidhjen, mirëpo them se nuk duhet nxituar me zgjidhjen. Meqë zgjidhja që do të arrihet duhet të jetë bazë që do të pranohet nga të dyja palët dhe që do të paraqesë bazë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe bazë për përparim të shpejtë të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit të plotë dhe anëtarësimit të plotfuqishëm në BE.

Nëse ju kuptoj mirë, doni të gjeni balancin mes zgjidhjes së shpejtë dhe cilësore, se nuk do ta pranonit zgjidhje me çdo kusht?  

Ajo që bëmë në fillim të mandatit të kësaj qeverie, dhe praktikisht në fillim të mandatit të Qeverisë bullgare, vetëm disa ditë ishte praktikisht distanca kohore e formimit të Qeverisë së re në Republikën e Bullgarisë dhe në shtetin tonë, ishte se kryeministri i Bullgarisë vizitoi shtetin tonë, ishte vizita e tij e parë zyrtare në një shtet tjetër, ishte kjo në ditën e dytë të mandatit të tij. Aty patëm një bisedë të sinqertë në atë takim ku ramë dakord se për një periudhë të gjatë në të kaluarën diskutimi mes dy shteteve drejtohej nga propagandistët që krijuan atmosferë mosbesimi mes dy shoqërive. Për këtë arsye, u dakordua mbledhje e përbashkët qeveritare në Sofje, që u mbajt menjëherë javën e ardhshme dhe në të cilën formuam grupe punuese në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, kulturës, integrimeve evropiane. Natyrisht, aty ishte edhe komisioni historik. Grupet e punës duhet të punojnë në tema që mund të kenë përfitime të dukshme për qytetarët, për kompanitë, për institucionet arsimore, për institucionet kulturore në të dyja shtetet. Meqë nuk mund të ndërtoni qëndrim të përbashkët me palën tjetër me të cilën nuk komunikoni, me të cilën nuk komunikojnë faktorët relevantë në shoqëri dhe përmes të cilit komunikim qytetarët nuk mund të shohin se gjërat po shkojnë në drejtimin pozitiv. Për këtë arsye, Komisioni për Ekonomi tashmë i ka mbajtur takimet e para që u mbajtën në Shkup në fillim të kësaj jave. Në çdo shtatë ditë do të punojnë komisione të ndryshme. Tashmë janë nënshkruar memorandume në fushën e infrastrukturës, në fushën e bujqësisë. Tashmë kishim edhe konferencën e parë mes institucioneve shkencore që ndodhi në fundjavën e kaluar. Edhe aktivitete të tilla do të vijojnë me qëllim që edhe përmes mediave të dërgohen informacione të vërteta që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje dhe të mundet edhe vetë bashkësia, sepse për shembull në komisionin e ekonomisë kanë marrë pjesë në punë edhe odat ekonomike, përfaqësuesit e bashkësisë së biznesit, të cilët këtë mund të shfrytëzojnë këtë si mënyrë për të rritur bashkëpunimin mes tyre. Paralelisht, zhvillohet normalisht edhe procesi i bisedimeve për çështjet politike që janë të hapura, kjo zhvillohet në nivel të Ministrisë së Jashtme. Aty punohet në dokumente pune që nuk janë mirë të ndahen me opinionin pasi duke marrë parasysh se janë dokumente zyrtare të pranuara nga të dyja palët, mirëpo kur do të kemi zgjidhje që është e pranueshme në nivel ekspertësh, kjo me siguri do t’i prezantohet si opinionit, ashtu edhe institucioneve që janë të ngarkuara për miratimin dhe pranimin e dokumenteve të tilla në përputhje me ligjet dhe rregulloret e të dyja shteteve.

Por, ndërkohë dëgjojmë megjithatë deklarata nga komisioni historik, për shembull, të llojit “derisa Maqedonia e Veriut të pranojë histori të përbashkët, ne nuk mund të negociojmë”, si duhet të merret Maqedonia e Veriut me llojin e tillë të  deklaratave nga historianët që janë kyç në procesin?  

Komisioni historik përbëhet nga profesorë të historisë dhe ata punojnë në përputhje me metodologjinë e tyre, me rregulla që i kanë vendosur vetë si ekspertë dhe ky komision bashkëkryesohet nga dy profesorë, njëri nga shteti ynë, tjetri nga Republika e Bullgarisë. Intenca e këtij komisioni është që të dalin me qëndrim të përbashkët për çështjet e hapura dhe konsideroj se nuk është e dobishme nëse njëra apo pjesë tjetër e komisionit del me qëndrime të paharmonizuar meqë kjo krijon atmosferë në të cilën pala tjetër duhet t’u përgjigjet pyetjeve ose tezave që janë parashtruar nga pala që ka dhënë deklaratë të caktuar. Për këtë qëllim, edhe kur punonin grupet tjera, komisioni historik, dy bashkëkryetarët thanë se do të përshpejtojnë punën e tij për të arritur zgjidhje që mund t’i ndajnë bashkërisht me institucionet e të dyja shteteve, të cilat zgjidhje do të jenë bazë për zhvillim të mëtejshëm mes shteteve.

Me sa kuptova, është e rëndësishme që në fakt të kemi një kornizë, një udhërrëfyes që do të na mundësojë të themi,  megjithëse nuk dëshironi data, eventualisht, të hapet ajo konferencë ndërqeveritar me BE-në, pra është e rëndësishme që udhërrëfyesi të jetë këtu dhe të ketë pëlqim nga të dyja palët për atë udhërrëfyes pa detaje? A është ky qëndrimi në institucionet e BE-së? Çfarë presin nga ju në mënyrë që ta japin atë dritë të shumëpritur jeshile?  

Së pari ata presin mirëkuptim mes dy palëve. Korniza që e parashtruat si pyetje normalisht që gjatë procesit duhet të dalë ndonjë kornizë që unë nuk e shoh si dokument formal në letër, që në fund të fundit ndoshta edhe do të vihet, mirëpo korniza duhet të paraqesë adresim të pyetjeve të hapura mes dy palëve. Ajo që gjithashtu e biseduam këtu është se zgjidhja e çështjeve duhet të jetë në frymën e vlerave evropiane, e respektit të ndërsjellë mes dy shteteve dhe ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve edhe në njërin edhe në shtetin tjetër.  Kur do të kemi zgjidhje të tillë atëherë do të mund të themi se është diçka që mund të ndahet, unë nuk do të lidhesha me data. Unë them se na duhet një zgjidhje e shpejtë, duke marrë parasysh se meritojmë hapjen e bisedimeve me BE-në, por sigurisht nuk na nevojitet zgjidhje e nxituar meqë zgjidhja që do të arrihet duhet të jetë bazë për të ardhmen që kemi para nesh, si për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ashtu edhe për zhvillimin e bisedimeve dhe anëtarësimin e plotfuqishëm në BE.

A shënon rënie mbështetja e maqedonasve nga të gjitha bashkësitë etnike, për BE-në? Cilat janë informacionet tuaja të brendshme?  

Zvarritja e çdo procesi kur ke një qëllim të caktuar dhe këtë gjithashtu e kemi biseduar me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, gjithmonë e zvogëlon angazhimin e shoqërisë si tërësi. Mirëpo, konsideroj se në rastin tonë, së pari procesi zgjat shumë, gjë që sigurisht mund të lindë një lloj skepticizmi te qytetarë të caktuar, mirëpo mund të ngjall edhe interes te disa palë të treta që nuk janë të interesuara që ky rajon të jetë i integruar plotësisht në BE. Dhe prandaj them se duhet të punojmë të gjithë së bashku në këtë proces, si ne në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përmes përfshirjes sonë në bisedimet me Republikën e Bullgarisë, në të njëjtën mënyrë edhe Republika e Bullgarisë përmes përfshirjes në bisedime me ne. Dhe sigurisht Komisioni Evropian dhe institucionet tjera përmes rolit të tyre për përshpejtimin e procesit, respektivisht për lehtësimin e këtij procesi.

Keni marrë përshtypje prej tyre se ata duan të japin nxitje vërtet të konsiderueshme këtu apo është lloj më i butë i presionit?  

Vërtet kam marrë shumë sinjale pozitive dhe përkushtim nga institucionet për fillimin e bisedimeve me BE-në për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sigurisht që ata kanë parimet e tyre mbi të cilat punojnë. Megjithatë, jam i bindur se këtu ka nivel të lartë përkushtimi që Republika e Maqedonisë së Veriut të fillojë bisedimet dhe me këtë rast të marrim të gjithë mbështetjen që është e nevojshme për zbatimin e reformave te ne, të cilat nevojiten jo vetëm për fillimin e bisedimeve por nevojiten edhe për të rritur cilësinë e jetës te ne, përmirësim të nivelit të shërbimeve që i marrin qytetarët dhe përmirësuar të të gjitha sferave të jetesës në shtet.

A ushtron presion Bashkimi Evropian mbi Bullgarinë në çfarëdo mënyre?  

Nuk mund të jap koment në raport me këtë meqë megjithatë unë përfaqësoj Republikën e Maqedonisë së Veriut këtu, mendoj se këtu nuk duhet të flasim për presion meqë unë dhe kryeministri i Republikës së Bullgarisë kemi një komunikim që është pozitiv, që bazohet në besimin e ndërsjellë dhe në respektin e ndërsjellë, edhe takimet që kam me kryetarët e institucioneve të BE-së edhe ai ka takimet e njëjta, në të cilat ne ndajmë se atë që e bëjnë grupet tona të punës dhe të cilat janë duke lëvizur në drejtim pozitiv në raport me bashkëpunimin dhe në raport me kthimin e besimit mes dy shteteve.

Para se të kalojë në anëtarësimin në NATO, pyetja e fundit për BE-në është nëse mund të imagjinoni ndonjë lloj alternativ të integrimit në BE që do të na mundësonte t’i anashkalojmë këto bllokada të ndryshme, njëfarë plani B të integrimit, qoftë përmes iniciativës rajonale, qoftë në Zonën Ekonomike Evropiane, a mendohet në çfarëdo mënyre në Qeverinë tuaj për plan B?  

Ne jemi Qeveri që edhe në programin qeveritar e ka të shënuar, mirëpo edhe gjatë bisedimeve të të gjithë partnerëve të koalicionit, se qëllimi strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut është anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Ky është plani të cilit ne i përmbahemi dhe që qytetarët tanë e presin nga ne. Në aspektin e bashkëpunimit rajonal është normale që bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëseardhur, por në asnjë mënyrë nuk nënkuptojnë zëvendësim të qëllimit themelor dhe alternativë ndaj qëllimit themelor, e ky është anëtarësimi i plotfuqishëm në BE. Ne jemi pjesë e Iniciativës për Ballkanin Perëndimor, Procesit të Berlinit dhe gjithashtu Iniciativës Ballkan i Hapur. Ballkani i hapur është iniciativë mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo në asnjë mënyrë nuk paraqet alternativë ndaj anëtarësimit në BE, mirëpo mbështetet në të parimet e njëjta të lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve mes tri shteteve. Tashmë ka rezultate të dukshme që mund t’i ndjejnë të gjitha kompanitë që bashkëpunojnë mes tri shteteve. Tashmë janë nënshkruar marrëveshjet për uljen e barrierave jotarifore mes shteteve për transportin e mallrave, më pas heqjen e kufizimeve të caktuara nga aspekti i lejeve fitosanitare dhe lehtësimin e transferimit të fuqisë punëtore me lehtësimin e regjimeve për leje, etj. Këto janë përfitime që janë të dukshme për të gjithë qytetarët dhe për odat dhe kompanitë afariste që bashkëpunojnë. Zvogëlohet koha e transportit, rritet shkëmbimi tregtar, në fakt këto janë të njëjtat parime kur flasim për rritjen e bashkëpunimit në rajon të caktuar. E përsëris edhe një herë – kjo nuk është kurrfarë alternative për anëtarësimin tonë në BE. Ky është qëllimi ynë strategjik dhe është plani në të cilin punon kjo Qeveri.

Për NATO-n dhe veçanërisht për Ukrainën. Ministri juaj i Mbrojtjes pati deklaratë kundërthënëse rreth dërgimit të ushtarëve nga ARM-ja, a e përkrahni këtë qëndrim të zellshëm të ministres suaj, meqë reagimet ishin mjaft negative, a konsideroni se Maqedonia e Veriut duhet të jetë më e moderuar?  

Press conference by Jens Stoltenberg, Secretary General of NATO, following his meeting with Dimitar Kovacevski, Prime Minister of North Macedonia.

Një numër i madh i përfaqësues të institucioneve japin deklarata gjatë punës së tyre, kështu që këto deklarata interpretohen në një mënyrë ose tjetër. Ajo që e biseduam me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s dhe në konferencën për media është se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s. Ne jemi pjesë e NATO-s, marrim pjesë në vendimmarrjen e NATO-s dhe nënkuptohet se u përmbahemi atyre vendimeve. NATO është aleanca më e madhe e mbrojtjes që kujdeset për sigurinë e vendeve të saj anëtare. Gjithashtu, e riafirmuam pozicionin tonë se duhet të ketë ulje të përshkallëzimit të tensioneve në rajonin e Ukrainës dhe se Rusia duhet të përfshihet në dialogun NATO-Rusi, i cili do të zhvillohet në shumë tema të ndryshme. Gjithashtu respektojmë integritetin dhe sovranitetin territorial e çdo shteti, duke përfshirë në këtë rast edhe Ukrainën, dhe u përmbahemi dispozitave të Kombeve të Bashkuara në këtë temë. Në kuadër të Ministrisë sonë të Mbrojtjes ka komunikim të përditshëm me kolegët e NATO-s, misioni ynë në NATO është pjesë e punës së përditshme dhe marrjes së të gjitha atyre vendimeve. MPJ-ja jonë ka hartuar plan operativ që koordinohet me vendet anëtare, e që i referohet nëse ka nevojë përkujdesjes së qytetarëve tanë në territorin e Ukrainës, kjo të bëhet në mënyrën përkatëse.

Sllovenia tha se nuk do të dërgonte armë në Ukrainë, nuk është Ballkani njësoj si Evropa Perëndimore, ka edhe lloje të tjera të marrëdhënieve me Rusinë, sa ju është e rëndësishme të mbani marrëdhënie të moderuara dhe të mira me Rusinë, sado që të jemi të orientuar drejt Perëndimit?   

Marrëdhëniet tona me Rusinë mund t’i shikojmë në dy mënyra. Së pari, Rusia është partneri ynë tregtar, me të cilin kemi shkëmbim të produkteve dhe shërbimeve të caktuara. Mirëpo, aspekti tjetër është se ne jemi vend anëtar i NATO-s. Ne i respektojmë plotësisht dispozitat e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe si vend anëtar i NATO-s ne jemi pjesë e aleancës më të madhe ushtarake të mbrojtjes në botë dhe të gjitha vendimet tona do të jenë në përputhje me vendimet që merren në nivel të NATO-s. Dhe kur shikojmë deklaratat e anëtareve të tjera të NATO-s, ato janë në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe vendimmarrjes në NATO.

Konsideroni se Ukraina duhet të bëhet anëtare e NATO-s?  

Secili vend në botë ka të drejtën e tij sipas rendit të tij dhe vendimeve që merr në nivel të institucioneve përgjegjëse për të vendosur për anëtarësimin e tij në aleanca të caktuara në mënyrën në të cilën planifikon sigurinë e shtetit të vet, kështu që ajo që Ukraina e ka si qëndrim dhe plan të saj megjithatë nuk do të doja ta komentoj nga aspekti i Republikës së Maqedonisë së Veriut meqë bëhet fjalë për qëndrim të një shteti sovran.

Meqë ne si vend anëtar i NATO-s kemi të drejtën e vetos, nëse nesër parashtron kandidaturë, si do të pozicionohet Maqedonia e Veriut?  

Parashtrimi i kandidaturës për çdo vend është proces që ne e kemi kaluar, e dimë se si merren vendimet dhe nëse ndodh një mundësi e tillë, atëherë edhe qëndrimi i qeverisë sonë në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Uashingtonit, atëherë do të mund të themi, mirëpo nga kjo perspektiva do të ishte mosmirënjohëse.

Pyetja e fundit, nga takimi me Stoltenbergun, a ndjehet njëfarë përmirësimi, a shkohet drejt dialogut apo janë duke u ashpërsuar marrëdhëniet me Rusinë? Cila është përshtypja juaj?  

Sekretari i përgjithshëm praktikisht ndau të gjitha informacionet që i kishte në konferencën për media. NATO mbetet në qëndrimin e saj se duhet të hapet dialog mes NATO-s si aleancë ushtarake dhe Rusisë për tema të ndryshme në spektrin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe NATO-s, ky është qëndrimi ende i vlefshëm i NATO-s, dhe në raport me këtë pjesë nuk ka lëvizje.

Tanja Milevska

Butoni Kthehu në krye
Mbylle