Kultura.Slajder SQKulturë SQKulturë.Portal SQ

“Përtej ngjyrave” ekspozitë e Visar Mulliqit në Çifte Hamam

Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit në Çifte Hamam, sonte artisti Visar Mulliqi e hap ekspozitën e tij "Përtej ngjyrave". Kurator i ekspozitës është Zeni Ballazhi.

Shkup, 28 tetor 2021 (MIA) – Në Çarshinë e Vjetër të Shkupit në Çifte Hamam, sonte artisti Visar Mulliqi e hap ekspozitën e tij “Përtej ngjyrave”. Kurator i ekspozitës është Zeni Ballazhi.

“Në kuadrot ekspresive të Visar Mulliqit, ndodhesh brenda një universi të turbulluar, ku ndërthuren në mënyrë mjaft të dukshme shqetësimi dhe përjetimi ekzistencial i autorit, emocioni i tij i mbërthyer në psikologjinë e një numri të madh figura të abstraguara herë-herë si njolla dinamike që pulsojnë pareshtur kuadrot. Këto figura ekspresive kthehen në një lajtmotiv origjinal në krijimtarinë e tij, si dhe me tensione të dukshme dhe të fshehta në strukturat kompozicionale herë – herë poetike e herë –here dramatike. Çdo element i përdorur në kuadrot e tij shfaqet si formë e pastër në vetvete pa marrë përsipër të komunikojë ndonjë mesazh të caktuara”, thotë kuratori Zeni Ballazhi në eksopozitën e Mulliqit.

Ai shton se veprat e piktorit Visar Mulliqi dëshmojnë një rrugë të gjatë, ku profesionalizmi dhe origjinaliteti artistik po konkurron në vazhdimësi një imazh mjaft personal, tashmë plotësisht të formuluar me një dimension ekspresionist, e që ngrit shikueshmërinë dhe kënaqësinë tek publiku.

Visar Mulliqi lindi më 1966 në Prishtinë. Studimet i kreu në Fakultetin e arteve pran Universitetit të Prishtinës më 1990 si dhe magjistraturën në vitin 1997. Prej vitit 1995- punon si asistent, ligjërues dhe asistent profesor për lëndën e pikturës në Fakultetin e Arteve pranë Universitetit të Prishtinës. Krijimtaria e tij artistike përfshin pikturën ekspresioniste bashkëkohore me një sensibilitet të theksuar karshi materialit me të cilin operon. Ka marr pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe disa personale në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare: Kosovë, Austri, Shqipëri, Maqedoni, Francë, Japoni, Belgjikë, Gjermani, Zvicër etj., si dhe nga viti 1992-2004 pjesëmarrës në të gjitha ekspozitat kolektive të organizuara nga “Shoqata e Artistëve të Kosovës”. Jeton dhe vepron në Prishtinë.

Ekspozita e Mulliqit në Çifte Hamam do të jetë e hapur deri më 5 nëntor. shk/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle