0_Maqedoni.Portal SQ0_Web_Aktuale SQMKD-AL SQ

Debat për rebalancin e Buxhetit: Për shumicën qeveritare ajo është për ekonomi të shëndetshme, derisa për opozitën do ta rritë varfërinë

Në vazhdimin e mbledhjes së sotme të 47-të të Kuvendit ku është diskutuar për rebalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2021, deputetët e shumicës qeveritare kanë vlerësuar se ai do të kontribuojë për ekonomi dhe shoqëri të shëndetshme, derisa sipas përfaqësuesve të opozitës rebalanci vetëm e rrit varfërinë dhe do të krijojë qytetarë të varfër.

Shkup, 22 korrik 2021 (MIA) – Në vazhdimin e mbledhjes së sotme të 47-të të Kuvendit ku është diskutuar për rebalancin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2021, deputetët e shumicës qeveritare kanë vlerësuar se ai do të kontribuojë për ekonomi dhe shoqëri të shëndetshme, derisa sipas përfaqësuesve të opozitës rebalanci vetëm e rrit varfërinë dhe do të krijojë qytetarë të varfër.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska ka vlerësuar se rebalanci është pa prioritete, duke shtuar se çdo vit pushteti në mënyrë ambicioze niset me buxhet megaloman që në fund i ribalancon dhe “realizon një asgjë të madhe nga projektet e qytetarëve që i premton”.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Elmi Aziri ka thënë se nuk i kupton parimet me të cilin është bërë shpërndarja e mjeteve që sipas tij është me “mungesë të ndjenjës së nevojës së qytetarëve”.

“Biseduam për shkallën e realizimit të investimeve kapitale dhe unë thash se ajo që deri tani është realizuar, 28 për qind për gjashtë muaj, më detyron të dyshojmë se mund deri në fund të vitit të realizohet tërësisht ajo shkallë. Në fund do të shohim se sa do të realizohet, ritmi i deritashëm nuk na jep optimizëm. Në rebalanc theksohet se kemi rritje prej 27.1 për qind të shpenzimeve kapitale. Para dy ditësh kur i shfletova të dhënat e MF-së shkruhej se niveli i realizimit të fillimit është 26 për qind për gjysmën e parë të vitit. Cilido të jetë kryeministër dhe cilido të jetë ministër i Financave nuk është e mundur 70 për qind që mbeten t’i realizojë për gjysmën e dytë”, ka thënë Aziri.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi theksoi se rebalanci i propozuar i Buxhetit pasqyron politikat ekonomike dhe sociale që do t’i zbatojë Qeveria, të cilat janë të orientuar drejt arritjes së qëllimeve kryesore të përcaktuara me prioritetet strategjike.

“Prioritetet deri në fund të vitit 2021 do të jenë të orientuara drejt përcaktimit për të mbështetur ekonominë me investime në projekte infrastrukturore, riprojektimin e strukturës së financave publike përmes rritjes së pjesëmarrjes në shpenzimet kapitale, si dhe forcimin e procesit të planifikimit, zbatimit dhe njoftimit për financat publike”, tha ministri Besimi, duke arsyetuar rebalancin e Buxhetit para deputetëve.

Ai theksoi se shëndeti i qytetarëve, ekonomia e shëndetshme, si dhe financat e shëndetshme dhe shoqëria në përgjithësi mbeten prioritete kryesore për sivjet.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet janë planifikuar në nivelin prej 222.5 miliardë denarë ose janë për 4,7 për qind më të larta në raport me projeksionet fillestare të Buxhetit. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivelin prej 268,8 miliardë denarë ose 8,6 për qind, më të larta në raport me planin, ndërsa të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara, supozojnë deficit prej 46,2 miliardë denarë, respektivisht 6,5 për qind të PBB-së. Në rebalancin është parashikuar të ketë rritje të të ardhurave prej 4,7 për qind ose rreth 10 miliardë denarë, më shumë mjete për shpenzime kapitale për 24 për qind, si dhe mjete plotësuese për masat për mbështetje të amvisërive dhe ekonomisë, për shëndetësinë dhe për procesin e imunizimit të popullsisë, mbështetje të rritur për bujqësinë dhe kategoritë e rrezikuara sociale. Mbledhja vazhdon nesër. fab/

 

Butoni Kthehu në krye
Mbylle