0_Maqedoni.Portal SQ0_Web_Ballina – Sllajder SQ0_Web_Përzgjedhja e redaktorit SQPartitë politike SQZgjedhjet Lokale 2021

BDI: E blerta do të faktorizojë më shumë zërin e shqiptarëve të Velesit, rrethoni numrin 3!

Prezantimin e programit të saj zgjedhor të bazuar në përbetimet e agjendës së blertë dhe projektet për jetë cilësore, Bashkimi Demokratik për Integrim i ka vazhduar sot në Buzallakovë të komunës së Velesit, duke prezantuar njëherit edhe listën e kandidatëve për këshilltarë për Komunën e Velesit të kryesuar nga Nevzat Muaremi.

Veles, 2 tetor 2021 (MIA) – Prezantimin e programit të saj zgjedhor të bazuar në përbetimet e agjendës së blertë dhe projektet për jetë cilësore, Bashkimi Demokratik për Integrim i ka vazhduar sot në Buzallakovë të komunës së Velesit, duke prezantuar njëherit edhe listën e kandidatëve për këshilltarë për Komunën e Velesit të kryesuar nga Nevzat Muaremi.

Para banorëve të Velesit me fjalë rasti u drejtuan kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në fjalimin e tij potencoi përkrahjen e madhe për shqiptarët e Velesit dhe angazhimin që përmes të blertës të vazhdohet rruga e zhvillimit dhe faktorizimit të tyre.

“Ne për këto njëzet vite kemi investuar në kuadro, kemi investuar që shqiptarët të mos përçahen, kemi investuar dhe shkolluar kuadro që të merren me punë, me programe e projekte, me ide e me vizione dhe jo me sharje e fyerje. Është turp për ne të shajmë të ofendojmë apo të shpifim për të tjerët dhe këtë kurrë nuk do e bëjmë, pavarësisht që të tjerët e bëjnë, por ama ne e kemi kapërcyer vetveten sepse mbi të gjitha kemi vendosur interesat e kombit. Ka shumë projekte, projekte që do realizohen përmes kuadrove që do fitojnë në këto zgjedhje për kryetarë komunash, që do të zbatojnë programin të cilin para qytetarëve dalin dhe e premtojnë. Ne tani kemi dalë me agjendën e gjelbër sepse vlerësuam që pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit është përmbyllur, kanë mbetur çështjet për tu materializuar, siç është ligji për gjuhën shqipe që është gjuhë zyrtare, por ka vend që të përparojë dhe janë krijuar institucionet përkatëse dhe duhet të japin llogari për zbatimin e gjuhës. Ne punën tonë e kemi kryer punën si legjislativ, pjesa që ngarkohet për zbatim duhet ta bëjë punën e vet. Ne vlerësuam se është domosdoshmëri e kohës, nevojë, dhe kush tjetër mund ta bënte këtë kapërcim dhe të nxjerrë një platformë sa moderne po aq edhe kombëtare. Kjo agjendë është agjendë e jetës”, ka thënë Ahmeti.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi falenderoi banorët e Velesit për mikëpritjen në numër të madh duke dëshmuar përkrahjen ndaj agjendës së blertë. Ai potencoi se vetë prezenca e ekipit të ekzekutivit të BDI-së në takimin me banorët e Velesit dëshmon përkrahjen për shqiptarët e këtij rajoni dhe angazhimin për fuqizimin e tyre në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal, por edhe përkrahjen për listën e kandidatëve për këshilltarë dhe bartësin e saj të listës, Nevzat Muaremi.

“Ju uroj që të jeni sa më të bashkuar dhe t’ua kërkoni votën të gjithëve. Mos ngurroni që të trokitni në derë edhe të komunitetit boshnjak, edhe të komunitetit maqedonas, edhe të komunitetit rom, edhe të komunitetit turk, çdokënd që e njihni kërkojeni votën sepse oferta e BDI-së është më e mira. Kur ne jemi vendimarrës, kur ne jemi vendimtarë vendosim mirë jo vetëm për shqiptarët, vendosim mirë për të gjithë. Kur u bëmë vendimtarë e sollëm vendin në NATO, kur u bëmë vendimtarë e sollëm barazinë gjuhësore, kur u bëmë vendimtarë fituan të gjithë nga fakti se BDI-ja u bë vendimtare kush do të jetë në qeverisjen vendore e kush në atë lokale. Prandaj, jam i bindur se të gjithë ju bashkërisht bashkë edhe më shumë me të gjithë që nuk janë sot këtu me ne, do të votoni Nevzatin dhe do të dërgoni këshilltar shqiptar në Këshillin e Komunës së Velesit në mënyrë që ti prijë proceseve për të mirën tuaj. Do të vazhdojmë shumë më tepër ta faktorizojmë shqiptarin e Velesit, ti rikthehet rrënjëve, të votojë Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të bëhet më i dobishëm për veten e vet”, u shpreh Grubi në fjalimin e tij.

Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën nga Velesi do ta vazhdojë sot në Çashkë ku do të prezantojë kandidatin për kryetar komune, Suat Shaqiri dhe kandidatët e listës së përbashkët për këshilltarë për këtë komunë. mb/

Butoni Kthehu në krye
Mbylle